Mali i Zi nuk lëkundet nga njohja e Kosovës

Kryeministri i Malit të Zi, Igor Luksic është pyetur nga kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Andria Mandic, se pas raportit të Dick Martyt në Këshillin e Europës, a do ta anulojë qeveria malazeze vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.
Kreu i Qeverisë së Malit të Zi e hodhi poshtë mundësinë e tërheqjes së këtij vendimi edhe tezën se gjoja Qeveria e Malit të Zi po zhvillon politikë antiserbe.
“Konstatimi juaj se Mali i Zi me njohjen e Kosovës shtet i pavarur, drejtpërdrejt është kyçur në copëtimin e shtetit të Serbisë, as që meriton të komentohet”, është shprehur Luksic, njofton KosovaLive nga Podgorica.
“Asnjëherë, asnjë qeveri në Malin e Zi, pra as ajo e Milo Djukanovicit nuk ka udhëhequr politikë antiserbe, ashtu siç nuk udhëheq as qeveria e tanishme, e as që mund të ndodhë kjo ndonjëherë në Mal të Zi”, është përgjigjur kryeministri i Malit të Zi, Igor Luksic.