E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj kthehet në shtëpi

Nga Nebih Maxhuni më 16 mars 2011 në ora 21:49

(E plotësuar)
Para pak çastesh, pas marrjes në pyetje nga prokurorë të EULEX’it, Fatmir Limaj është lënë i lirë.

Për dy orë ka zgjatur intervistimi i tij nga prokurorët europianë.

Ndërkohë që Limaj gjendej brenda, përreth selisë janë mbledhur familjarë dhe simpatizantë të tij.

Pak para mesnatës, i shoqëruar nga avokati i tij, Tomë Gashi, Nënkryetari i PDK’së është lënë i lirë.

“Krejt çfarë mund të themi sonte është se Fatmir Limaj kthehet në shtëpinë e tij”, ka thënë Gashi.

Turma e mbledhur ka shpërthyer nga gëzimi.

“Procedurat ndaj tij do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme”, ka shtuar avokati.

Vetë Limaj ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

Por Fatmir Limaj, e avokati i tij, Tomë Gashi, nuk kanë qenë në gjendje të thonë nëse ai do jetë në burg shtëpiak apo për këtë çështje do të vendoset nesër kur të del para gjykatës.

Limaj në Gjykatë, ndihet krenar për të kaluarën e tij

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë në mbrëmjen e së mërkurës se do t’i përgjigjet organeve të drejtësisë edhe atëherë kur ndonjëherë ato nuk janë të drejta. Ai ka theksuar se gjithmonë atë që e ka bërë, e ka bërë për të mirën e vendit.

Limaj duke folur për RTK-në ka thënë se edhe po të kishte një miliard vjet nuk do të ndryshonte asgjë në jetë.

“Më lejoni të mos flas për rastin, mirëpo vazhdoj të qëndroj për atë që kam thënë para disa viteve para se të shkoja në Hagë, pastërtinë tonë, pastërtinë e luftës tonë dhe jam krenar sikur që kam thënë. Edhe 1 milion, por edhe 1 miliard vjet me i pas nuk kisha heq asgjë nga e kaluara ime. Krenohem me të dhe besoj që kështu krenohen edhe qytetarët e Kosovës për lirinë e sjellë. Unë së bashku me bashkëluftëtarët kam punuar për të çliruar Kosovën, kam pas fatin që punoj në ndërtimin e Kosovës”, ka thënë Limaj, siç transmeton Kosovapress.

Për më tepër ai ka dhënë porosi edhe për të gjithë qytetarët që i kanë besuar atij se tërë potencialin e tij do ta ofrojë në shërbim të atdheut.

“Porosia ime për qytetarët është krejt potencialin tim e njerëzor e kam dhënë për çlirimin e Kosovës me krejt shpirtin sikurse që krejt potencialin tim intelektual, profesional, fizik e kam vënë në shërbim të vendit në periudhën kur e kam pas rastin. Vazhdoj të jem i tillë. E di që është e vështirë për simpatizantët dhe qytetarët që kanë besim tek unë, por besoj se kjo do të tejkalohet”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur se edhe njëherë po i dorëzohet vullnetarisht organeve të rendit, Limaj ka thënë se vetëm kështu mund të ndihmohet vendi.

“Besoj që kështu ndihmohet vendi. Askush dhe asnjë njeri nuk mund të barazoj fatin e tij me fatin e vendit, i cili është mbi të gjitha edhe ndonjëherë kur del padrejtësi. Në rastin tim, ju e dini se kjo nuk është hera e parë që po ndodh, por fatin e kemi të tillë dhe kur ju pret drejtësia pavarësisht a është e drejtë apo e padrejtë, ju e keni për obligim t’i përgjigjeni. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri demokratike”, ka thënë deputeti Limaj.

Ai ka shfaqur shpresën se ajo thënia e famshme “askush mbi ligjin”, të mos keqpërdoret dhe të mos përdoret për gjëra të tjera, duke shprehur besimin që ata që e kanë sjell këtë ligj edhe ta respektojnë.

Fletarrest për Fatmir Limajn?

Policia e EULEX’it tashmë ka një fletarrest për Fatmir Limajn, nën dyshimin për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë.

Zyrtarisht, misioni europian nuk i ka konfirmuar këto informacione.

Gjatë luftës, Limaj ka drejtuar Brigadën “Kumanova”.

Ai, nën dyshimet për krime lufte, ishte arrestuar vite më parë nga autoritetet e Tribunalit të Hagës, por ishte liruar si i pafajshëm.

I arrestuar edhe komandanti rajonal i policisë në Prizren

Komandanti i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, është në mesin e të arrestuarve sot nga EULEX-i, si të dyshuar për krime lufte, kanë bërë të ditur për Express, burime të mirinformuara.

Të arrestuar të tjerë, sipas këtyre burimeve, janë edhe Refki Mazreku, i njohur me nofkën Van Dami; Naser Krasniqi, Behlul Limaj, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala, Besim Shurdhaj dhe Osman Hoxha.

EULEX arreston disa të dyshuar për krime lufte

Policia ekzekutive e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, gjatë ditës së sotme, ka bërë disa arrestime, në ndërlidhje me akuzat për krime lufte.

Ky mision nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.

Hetimet ndërkaq, janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

EULEX-i nuk jep detaje për numrin e të arrestuarve, as prej nga janë ata.

Ndërkohë agjencia Kosovapress shkruan se urdhër-arresti është lëshuar për 11 ushtarë të brigadës 121 - "Kumanova", të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa thuhet se janë arrestuar katër prej tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›