E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maliqi: Rama lapsus që nuk përmendi Rugovën, bojkotin e LDK e ka “dirigjuar” Berisha

PRISHTINE-Këshilltari për rajonin, i kryeministrit Edi Rama, Shkelzen Maliqi e ka konsideruar një lapsus të vogël, anashkalimin që Rama i bëri figurës së Ibrahim Rugovës, gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës. 

Shkëlzen Maliqi ka komentuar edhe bojkotin që LDK-ja i bëri fjalimit të Ramës. Sipas Maliqit, veprimi i Ismet Beqirit dhe bashkë partiakëve të tij, lidhet ngushtë me bojkotin që Partia Demokratike ia bëri një ditë më parë në Parlmanetin e Shqipërisë.

“LDK tradicionalisht ka qenë e lidhur në një aleancë me Partinë Demokratike. Ideja e LDK-së me këtë bojkot është që ta shfrytëzojnë disponimin pro Berisha në Kosovë, apo anti-Rama për procesin elektoral që vjen këtu. Vetëm një ditë më parë Rama u bojkotua nga Berisha në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Maliqi.

Duke folur në televizionin Klan Kosova, Maliqi tha se Rama ka përpiluar vet fjalimin e tij, derisa respektin ndaj figurës së presidentit të ndjerë e ka dhënë aty ku duhet.

“E shini qartë se Rama bëri homazhe te Presidenti Rugova. Në kuadër të vizitës ai është përkujdesur të shkoj tek varri i presidentit. Dmth ky është respekti i Ramës ndaj figurës së historike të Rugovës”, tha këshilltari i kryeministrit shqiptar. 

Por ky zhvillim sipas Maliqit bënë të qartë se aleancat në blloqe të partive kosovare dhe shqiptare nuk janë shuar.
Maliqi më tutje vlerësoi se kosovarët nuk kanë pse e shohin me sy të keq Ramën kur si kryebashkiak ia dha çelësin e Tiranës serbit Goran Bregoviç. 

(m.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›