E Diel, 1 Nëntor 2026

Malko: Diçka në favor të Lushnjës do të ndodhë në Lezhë

Nga Julian Kasapi

Trajneri Saimir Malko thekson se ndeshja me Gramozin është vlerësuar drejt dhe pret 3-pikëshin e radhës nga skuadra e tij

Skuadra lushnjare ka mbyllur dje javën stërvitore në kuadër të takimit të sotëm me Gramozin në Roza Haxhiu. Këtë kundërshtar myzeqarët e kanë mundur fazën e parë në fushën e tij dhe pretendojnë të bëjnë të njëjtën gjë, pse jo dhe me rezultat më të thellë. Situata për kreun është ndezur fort 3 javë para fundit të kampionatit, sidomos pas barazimit që Lushnja arriti javën që shkoi në Gramsh, ku humbi 2 pikë shumë të rëndësishme.

Rivalët e saj për një biletë superlige nuk e kanë bërë hapin fals, por për lushnjarët ka ende shpresa. Ashtu si në përballjen më Burrelin, lushnjarët nuk do të kenë sot mbështetjen e tifozërisë së tyre, sepse stadiumit Roza Haxhiu ia ka mbyllur dyert Kominsioni i Disiplinës, për shkak të sjelljes jo të hijshme të tifozëve lushnjarë.

Për takimin e sotëm, i konsideruar i lehtë në letër, numri 1 i stolit lushnjar, Sajmir Malko, u shpreh: Jemi të përqendruar maksimalisht për ta mundur Gramozin. E kemi përgatitur takimin me të gjitha mundësitë tona. Do të luajmë ndaj një kundërshtari, që do të kërkojë pikë për mbijetesë, por ne kemi një skuadër të një niveli më të lartë dhe do të bëjmë diferencën në fushë.

Kam besim se diçka në favorin tonë do të ndodhë në ndeshjen mes Besëlidhjes dhe Kukësit. Ndeshja e sotme është e rëndësishme për ne dhe i kemi kushtuar vëmendjen e duhur kundërshtarit nga Erseka.

Mungesat Në radhët e verdhejeshilëve mungojnë për këtë takim mbrojtësi Erion Xhafa, i cili është i skualifikuar një javë, për shkak të kartonit të kuq të marrë në Gramsh, por edhe Alban Byzhyti në mesfushë, pasi është ende i dëmtuar. Pjesa tjetër e kontigjentit është e plotë për trajnerin Malko.

Formacioni më i mundshëm për verdhejeshilët është: Bejte në portë, Dhima, E.Sula, Hasalla dhe  Bufasi në mbrojtje, Çela, Topi, R. Sula dhe Dervishi në mesfushë, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Canka-Sefa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›