E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Malli dhe nostalgjia, personalitete shqiptare që jetojnë jashtë vendit “zgjojnë” kujtimet e tyre

“Malli dhe nostalgjia” ishte tema e ditës së sotme në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu. Pyetjes se çfarë u mungon nga Shqipëria personaliteteve të fushave të ndryshme që jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre jashtë vendit, ata u përgjigjen duke zgjuar kujtimet.

Ermira Zyrakja Lefort

Ermira Zyrakja Lefort, pianiste dhe profesoreshë, është larguar nga Shqipëria pas viteve studentore. “Nostalgjia e viteve të para të rinisë është nostalgjia që të ndjek gjthë kohën me bukuritë e veta deri në idealizim. Mungesa është një ftesë gjithnjë në shpirt për familjen, miq, kujtime, ngjarje dhe vende.” Artistja kujton se sa herë hyn në institucionin ku jep mësim për instrumentin e pianos, i vijnë ndërmend vitet si studente. “Kur dëgjoj tingujt e instrumenteve muzikore, imagjinoj veten duke ngjitur shkallët e Konservatorit të Tiranës, plot studentë, me partitura ndër duar, emocione provimesh dhe performancash. Shqipëria më bëri artistja që jam edhe këtu”. Sa herë luan vepra shqiptare dhe sheh partiturat, të cilat i ruan që nga fillimet e saj si pianiste, ndjen mungesën e kompozitorëve dhe pedagogëve shqiptarë. “Më mungojnë ata që janë larguar nga kjo jetë por që muzika e tyre jeton për të gjithë artistët si dhe për mua. Më mungojnë pedagogët, që u jam shumë mirënjohëse si studente, dhe sa herë vij në Tiranë takohemi tashmë si miq dhe ky është privilegj i madh.” Kur ndodhet pranë liqenit të Gjenevës i kujtohen ditët e verës në bregdetin shqiptar shoqëruar nga familjarë, miq e studentë, ndoshta si një ftesë për të ardhur sërish në Shqipëri. “Udhëtoj shpesh në vendin tim. Por kur duhet të kthehem, që në aeroportin e Tiranës fillon të më mungojë përsëri.”

Bujar Luca

Piktori Bujar Luca, i cili jeton dhe zhvillon karrierën e tij në Paris kujton Shqipërinë gjatë ndryshimit të sistemeve. “Shqipëria e para 33 viteve ishte një Shqipëri që i mungonte gjithçka, mbi të gjitha liria. Arti bashkëkohor, literatura, muzika, feja dhe moda na ishin ndaluar. Qëllimi im gjatë viteve si student dhe më pas në Kinostudio ishte që të mos e lija veten të binte në kuadrin historik dhe social ku jetoja. Preferoja vetminë e atelierit, leximet dhe kërkimet në pikturë.” Luca gjithashtu sjell në kujtesë kur i vetëm me kavaletën në krah kërkonte frymëzimin. “Mes diellit përvëlues shkoja të gjeja motivin dhe gjatë realizimit të veprës ndjeja gëzim të papërshkrueshëm. Më mungon dielli i Shqipërisë, klima e saj, netët e verës.”

Marsela Ceno

Marsela Ceno, mjekja kirurge dhe drejtuesja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, shprehet se i mungon të folurit në shqip me pacientët e saj. “T’i sqaroj ata në lidhje me diagnozën e tyre dhe t’u them në gjuhën shqipe që operacioni përfundoi me sukses.” Largësia jo pak herë shton mallin edhe për gjërat që nuk funksionojnë mirë. “Më mungon trafiku i çmendur në hyrje dhe në dalje të Tiranës, ku ai që mundet më shpejt të dalë nga ajo çmenduri është ai që ka shikimin më të ashpër dhe që di t’i bie borisë më shumë. Më mungojnë njerëzit që ecin në korsitë e biçikletave dhe biçikletat që ecin në trotuare. Më mungon ajo që quhet “La vida loca”.”

Kasem Hoxha

Kasem Hoxha, tashmë një aktor i suksesshëm në Gjermani, kujton me nostalgji zërin e nënës së tij. “Më mungon nëna ime, zëri i së cilës thërriste në mes të vapës për të hyrë në shtëpi se ishte bërë merak. Ne luanim sikur s’kishte të nesërme.” Hoxhës i mungojnë rrugicat e fëmijërisë me shtëpitë tipike tiranase. “Këto rrugica i njihja symbyllur dhe më jepnin ndjesinë e sigurisë. Më mungojnë thirrjet e Llukës, akulloreshitësit, i cili midis drekës dhe pasdites thërriste “Hajde akullore”. Linim gjithçka dhe i suleshim atij. Ndonjëri nga ne që nuk kishte lekë për të blerë, të paktën do provonte tek akullorja e tjetrit.” Edhe kur nuk kishin para për të blerë bileta për në kinema, bashkë me shokët gjenin një mënyrë për të hyrë brenda. “Qëndroja i fshehur pë orë të tëra derisa fikeshin dritat dhe kur dilja mbaja mend çdo dialog të filmit.” Aktori ndjen mall për kohën e adoleshencës. “Rrija me shokët para gjimnazit “Partizani” ose “Çajupi” duke pritur për të ndaluar ndonjë vajzë të bukur, siç ishin ato të lagjes sonë. Më merr malli për dashurinë e fshehtë të asaj kohe, që më detyronte të qëndroja për orë të tëra para pallatit, në shi, diell, në të nxehtë e të ftohtë, sa më mpihej qafa duke parë nga ballkoni i katit të katërt.”

Lola Luma

Lola Luma, modelja shqiptare në SHBA, ndalet te njerëzit dhe aromat që e çojnë pas në kohë. “Më mungon kafja e mëngjesit, bisedat e bukura me babin në ballkonin plot me lule në plazhin e Shëngjinit. Po ashtu ecjet me mamin  në Shkodër dhe ndalesat te kioska në piacë ku blinin libra.” Nostalgjia për Lumën merr edhe nota sentimentale. “Më mungojnë darkat romantike me bashkëshortin dhe noti me djalin tim në plazh.” Modelja nga Shkodra ndjen mall edhe për Shqipërinë e meritokracisë. “Ku njerëzit vlerësohen nga vlerat dhe jo antivlerat. Më mungon çdo gjë e bukur që nuk blihet me para.” 

Fatrin Krajka

Kompozitori dhe pianisti Fatrin Krajka tregon se çfarë i mungon më shumë nga Shqipëria është komunikimi në gjuhën shqipe. “Më mungon marrëdhënia me njerëzit, komunikimi në gjuhën shqipe sepse është një nga gjërat e para që njeriu krijon identitetin, që realizon portretin e tij në shoqëri.” Nga New Yorku i ftohtë, Krajka thotë se i mungon edhe klima. “Sapo dal nga avioni në aeroportin e Rinasit, ndjej një lloj lagështie që ka Shqipëria në verë dhe dimër.” Gjithashtu i mungon ushqimi i shijshëm dhe mënyra e gatimit.    

/rtsh/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›