Landfilli i Sharrës, Veliaj: Berisha dhe Meta donin ta jepnin shërbimin me 37 euro për ton

Gjatë prezantimit të planit strategjik të pastrimit të qytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka theksuar se landfilli i Sharrës dikur ishte hapësirë një degraduar, që i ngjante një hani pa porta, ndërsa tani është shndërruar në një hapësirë të gjelbër.
“Sot e kemi harruar atë renë kancerogjene, për shkak të së cilës nuk e shihje dot qiellin blu në Tiranë.
Sot mund të shohësh qiellin blu dhe mund të themi me plot gojën, se në Sharrë ai sistem ndotës, djegës, helmues dhe kancerogjen për qytetin, është një përrallë nga e kaluara. Duke filluar nga Sharra dhe kudo tjetër, Tirana është disa herë më e pastër”, tha kryebashkiaku.
Veliaj nënvizoi se Sali Berisha dhe Ilir Meta e kishin Tiranën dhe e lanë atë të mbytur në borxhe. Ndërsa theksoi se Berisha dhe Meta donin ta jepnin shërbimin e menaxhimit të plehrave me 37 euro për ton.
“Kur kam ardhur në Bashkinë e Tiranës, përveç se gjeta faturën 60 % me borxhe, gjeta edhe një propozim të atyre që sot kundërshtojnë Bashkinë e Tiranës dhe thonë: ‘Na jepni edhe një shans tjetër’.
Ne Ilirit dhe Saliut ia dhamë një shans, nga 2011 deri në 2015.
Përveç se na e lanë faturën me 60% borxhe, na lanë edhe një propozim që plehrat në Sharrë të menaxhoheshin me 37 euro për ton.
Sot plehrat, Bashkia e Tiranës, me një kontratë shërbimi, jo investimi, i mbledh në gjithë territorin e Tiranës, i çon deri tek trau në Sharrë. Aty peshohen dhe këtë shërbim e bëjmë me 29 euro për ton, jo me 37”, theksoi Veliaj.
/rtsh.al/