Mamografia e lëvizshme në Devoll, kontrolle falas për shëndetin e grave nga kanceri i gjirit

Mamografia e lëvizshme është ndalur prej disa ditësh në bashkinë e Devollit, ku do të qëndrojë deri në fundin e kësaj jave. Me kërkesë të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Parësor, në mungesë të aparaturave për kryerjen e mamografisë në spitalin bashkiak të Devollit, kjo mamografi e lëvizshme do të kryejë kontrolle të gjirit falas për të gjitha gratë në moshën 40-50 vjeç që konsiderohen me risk më të lartë.
Tekniku imazherist dr.Alvis Imshtari tregon rëndësinë e kryerjes së këtij kontrolli dhe iu bën thirrje të gjitha grave të mos neglizhojnë dhe të kontrollohen periodikisht.
“Është një program që operon prej 10 vitesh në Shqipëri dhe shkon në gjithë zonat që nuk mundësohet nga rrethi. Një mamografi dhe Shkon ISHP në bashkëpunim me drejtorinë e shëndetit publik të rrethit në vendin dhe kryen mamografitë. Janë kryer mbi 50 mamografi në qytetin e Bilishtit, dhe rreth 10 gra janë referuar për një ekzaminim të mëtejshëm, eko apo konsulta me mjekun”, deklaroi ai.
Gratë e Devollit e kanë mirëpritur këtë shërbim me interes dhe përgjegjshmëri, duke kuptuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta për ruajtjen e shëndetit
“Nuk duhet neglizhuar, por duhet të kujdesen për trupin e tyre, për veten e tyre. E mira është që çdo dy vite të bëhen vizita, kontrollet e nevojshme“, deklaroi qytetarja.
Nisma synon jo vetëm të ofrojë shërbim, por edhe të edukojë mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm, që shpëton jetë.
/RTSH/