Mamurrasi në stërvitje, grabitësit bastisin dhomat e zhveshjes
Hajdutët kanë vjedhur mbi 2 milionë lekë të vjetra, celularët si dhe të gjitha sendet me vlerë që kanë gjetur në çantat e lojtarëve
Nuk e kishim besuar kurrë se një gjë e tillë mund të ndodhë në një mjedis që ruhet me roje private, ku përveçse futbollistëve të shoqëruar me trajnerët, askush nuk mund të hyjë, por “çuditërisht” për hajdutët nuk ka qenë e lehtë. Ka ndodhur pikërisht në Kamëz, në qendrën stërvitore në kompleksin e të rinjve të kombëtares shqiptare, ku viktimë e grabitjes kanë qenë futbollistët e ekipit të Mamurrasit, të cilët prej kohësh zhvillojnë stërvitjen në këtë fushë, por që asnjëherë tjetër nuk ka pasur probleme. Pas një orë e 30 minutash stërvitjeje, lojtarët janë kthyer në dhomat e tyre të zhveshjes, por kanë vënë re që të gjitha çantat e tyre dhe rrobat ishin të lëvizura nga vendi ku ata i kishin lënë. Në kohën kur kanë përfunduar stërvitjen, përpara nisjes për në Mamurras, futbollistët dhe stafi drejtues kanë vërejtur mungesën e veshjeve, lekëve që secili kishte nëpër xhepa, celularëve dhe sendeve të tjera me vlerë, të lëna në dhomat e zhveshjes. Menjëherë është njoftuar policia, forcat e së cilës mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet. Në pyetje u morën punëtorët e fushës, futbollistët dhe stafi drejtues, të cilët bënë edhe kallëzimet për sendet përkatëse. Nuk dihet ende se si grabitësit, që mendohet se kanë qenë të paktën dy persona, kanë mundur të hyjnë pa u vënë re në mjediset e dhomave të zhveshjes. Ndërkohë që sasia e të hollave i kalon 2 milionë lekë të vjetra. Interesante është fakti se pse futbollistët e Mamurrasit janë mbajtur në dhomat e veshjes deri në orën 19.00 të darkës, të paktën tre orës pas përfundimit të stërvitjes, “ngushëllimi’ i vetëm i policisë ka qenë, sipas futbollistëve, “mos u mërzisni” në një kohë që nuk është kryer ekspertiza, fotografimi i dhomave të veshjes apo rrobave a çantave të sportistëve, për të shpresuar në gjetjen e shenjave të gishtërinjve apo gjurmëve të grabitësve, për të shpresuar më pas në zbulimin dhe arrestimin e tyre.