Salihi drejt largimit nga Rapidi i Vjenës
Duke parë situatën aspak të favorshme që po kalon bomberi Hamdi Salihi, te Rapidi i Vjenës, me trajnerin Pakult sa vjen dhe po ia redukton minutazhin shkodranit, duket se po vjen dhe divorci mes sulmuesit dhe skuadrës. Salihi flitet se ka shprehur interes që të largohet nga Rapidi në fund të sezonit. Pavarësisht se lojtari i përfaqësueses kuqezi ka kaluar një fazë të mirë përgatitore duke shënuar disa gola, ai përsëri nuk u aktivizua as në ndeshjen e fundit. Salihi u transferua me buje verën e sezonit 2009-2010 nga ekipi i Riedit, por tani sipas të gjitha gjasave, do të largohet në fund të këtij sezoni nga ekipi i kryeqytetit të Austrisë. Për të ka pasur disa oferta në merkaton e janarit, që Salihi vetë nuk ka preferuar t’i bëjë publike, por gjatë muajve të verës pritet që shkodrani të ndryshojë mjedis.