E Diel, 1 Nëntor 2026

Man. Siti kundër "fair-play" financiar: Duam të fitojmë

Vetëm miliarderët e dashuruar me sportin, të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë shifra marramendëse për blerjen e futbollistëve, mund të thyejnë dominimin e klubeve të mëdha europiane. Ky ishte thelbi i fjalëve të presidentit të Mançester Sitit, Khaldon al-Mubarak, që është krahu i djathtë i sheikut Mansur bin Zajed al-Nahjan, pjesëtarit të familjes mbretërore në Abu Dhabi. Një vit më parë, njeriu me influencë në Emiratet Arabe bleu "Sitizëns" dhe shpenzoi 200 milionë sterlina (rreth 230 milionë euro) për afrimin e njëmbëdhjetë lojtarëve, që përforcuan skuadrën dhe e kthyen Sitin në një klub konkurrues në Premierligën angleze. Së fundmi, shpenzimet e kushërinjve-rivalë të Mançester Junajtid u kritikuan nga UEFA, nëpërmjet presidentit të institucionit që drejton futbollin në kontinent, Mishel Platini. Gjatë muajit të kaluar, ai paraqiti disa propozime për të ndaluar klubet që të shpenzojnë më shumë, që e krijojnë potencialin e tyre financiar, duke marrë para borxh apo duke i siguruar fondet nëpërmjet investimeve të miliarderëve si Roman Abramoviç dhe sheikët arabë.

Platini, i mbështetur edhe nga institucioni që drejton, theksoi se duke filluar që prej sezonit 2012-2013, skuadrat duhet të shpenzojnë aq sa fitojnë nga të drejtat televizive, shitja e biletave apo nga aktivitetet e tjera komerciale, si shitja e fanellave, shalleve dhe flamujve. Në të kundërt, ato nuk do të lejohen që të regjistrohen në Ligën e Kampioneve. Por, pronarët e Mançester Sitit nuk janë dakord me këtë qëndrim të UEFA-s. "Mund ta pranoja teorinë e Platinisë, nëse do të përforconim artificialisht klubin, duke marrë fonde në formë huaje", deklaroi Al-Mubarak gjatë një interviste të gjatë për të përditshmen angleze, "The Guardian". "Kjo do të prodhonte borxhe dhe në terma afatgjatë, borxhet kanë pasoja shumë të rënda për klubin. Gjëra të tilla kanë ndodhur. Megjithatë, në rastin tonë gjendja financiare e klubit do të jetë "e shëndetshme", sepse borxhet nuk ekzistojnë. Financimin e skuadrës e kemi realizuar nëpërmjet investimeve. Sheiku Mansur nuk është thjesht i pasionuar me futbollin, por edhe një biznesmen i kujdesshëm. Ai është i bindur se ka bërë një investim të mirë dhe se pas disa vitesh, Siti do të ketë një vlerë më të lartë nga ajo që kemi shpenzuar".

Ekziston edhe një tjetër arsye, përse sheikët e Abu Dhabit kritikojnë planin e Platinisë. "Ne besojmë se kjo që po bëjmë është një mënyrë e ndershme për të shtuar konkurrencën në futboll. Vendosja e kufizimeve për investuesit: të cilët do ta kenë të vështirë të blejnë skuadra të nivelit mesatar apo të shpenzojnë para për t‘i përforcuar, do të thotë të konsolidosh monopolin që ekziston aktualisht në Europë. Futbolli i ‘Kontinentit të Vjetër‘ kontrollohet nga një grup i ngushtë klubesh, që janë shumë më të pasur se të tjerët. Ideja e UEFA-s është e padrejtë, sepse nëpërmjet saj, skuadrat e mëdha dhe më të pasura do të mbeten gjithmonë më të forta se të tjerat. Nuk e kuptoj, ndoshta ajo që zoti Platini kërkonte me të vërtetë të thoshte ishte se La Ligan spanjolle duhet ta fitojnë vetëm Barcelona dhe Reali i Madridit?".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›