E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu: 80 laboratorë të shkencave do t’u shtohen këtë vit shkollave 9-vjeçare dhe të mesme

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur pajisjen me materiale të reja për laboratorët e shkencave, biologji, fizikë dhe kimi, një investim i rëndësishëm që do të mundësojë një mësimdhënie më cilësore për rreth 20 mijë nxënës.

Ky investim përfshin pajisjen e 80 laboratorëve të biologjisë, fizikës dhe kimisë në shkolla të arsimit bazë dhe të mesëm, duke krijuar një mjedis të avancuar për të nxitur aftësitë shkencore dhe eksperimentale të nxënësve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndoqi nga afër procesin e pajisjes së laboratorëve, në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, ku janë ngritur laboratorë e rinj të Kimisë, Fizikës dhe Biologjisë theksoi rëndësinë e investimeve në këtë fushë për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.

“Edhe 80 laboratorë të shkencave do t’i shtohen këtë vit infrastrukturës laboratorike në shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm për t’iu mundësuar nxënësve dhe mësuesve të zhvillojnë lëndët e fizikës, kimisë dhe biologjisë në kushte optimale”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se “të mësuarit në praktikë ua bën mësimin shumë tërheqës. Ndaj ne si ministri planifikojmë buxhete përkatëse që shkollat t’i pajisim me të gjitha materialet e nevojshme për të realizuar aspektet laboratorike të lëndëve të shkencave”.

“Jemi duke plotësuar edhe më shumë bazën laboratorike të laboratorëve tanë në gjitha shkollat dhe fokusi është që t’i rrisim standardin dhe cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies përmes investimeve, sidomos në aspektin laboratorik”, tha Manastirliu, duke shtuar se puna në laborator nxit edhe më shumë interesin e nxënësve.

Investimi në laboratorët e rinj të shkencave me pajisje moderne për lëndët e kimisë, fizikës dhe biologjisë u jep nxënësve mundësi të hulumtojnë dhe t’i njohin lëndët në praktikë; të eksperimentojnë dhe të njihen me procese të ndryshme kimike, fizike e biologjike, tepër të domosdoshme si për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, edhe për gjimnazistët që përgatiten për të kaluar në sistemin universitar.

Këto investime i kompletojnë laboratorët me pajisje shkencore, mobilim laboratorik, mikroskopë dhe pajisje të tjera të posaçme, kite të ndryshme, modele ilustruese, aparate studimore, etj.

/k.s//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›