E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu: Mbi 35 mijë pacientë përfitojnë fisha diabeti falas

Një muaj e pak nga fillimi i programit të rimbursimit të fishave të diabetit kanë përfituar mbi 35 mijë të moshuar, fëmijë dhe të rinj deri në moshën 25 vjeç.

Lajmin e njoftoi ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Ogerta Manastirliu në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë.

“Për një muaj e pak nga fillimi i këtij programi të ri janë përfitues mbi 35 mijë të moshuar, fëmijë dhe të rinj deri në moshën 25 vjeç, që përfitojnë falas fishat e diabetit duke e bërë gjithëpërfshirëse skemën e rimbursimit duke përfshirë edhe pajisjet mjekësore siç janë fishat e diabetit dhe duke synuar një trajtim më të mirë të sëmundjeve kronike. Pacientët me diabet përfitojnë trajtimin e plotë falas, me një financim të barnave me rimbursim në vlerën 2.2 miliardë lekë/vit” tha zonja Manastirliu

Rimbursimi i fishave të diabetit nisi për grupmoshën 0-18 vjeç në 2018. Më pas u zgjerua edhe për të rinjtë deri 25 vjeç. Nga 27 shkurti 2023 fishat për matjen e glicemisë përfitohen në të gjitha farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë me FSDKSH, ku përveç kategorisë 0-25 vjeç, tashmë përfitojnë dhe të moshuarit +65 vjeç.

Numri i diabetikëve në Shqipëri është rreth 80 mijë, por ekspertët mendojnë se ky numër duhet të jetë më i madh. Sipas tyre të sëmurët me diabet e konstatojnë sëmundjen shumë kohë pasi ajo është shfaqur tek ata. 

/ rtsh.al /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›