E Enjte, 5 Nëntor 2026

Manastirliu: Me buxhetin 2023 nisi rritja e pagës së mësuesve

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirli tha sot se 51 miliardë lekë është financuar sistemi arsimor në 2023, 16% më shumë se në 2022.

Në fjalën e saj në Kuvend ku po diskutohet për buxhetin faktik, Manastirliu theksoi se “në arsim çdo shpenzim nuk është thjesht një shifër në buxhet, paga në 2023 u rrit me 7% më pas vijuam në 2024 me mbështetjen me buxhetin më të lartë për rritjen e pagave për mësuesi tanë duke çuar pagën mesatare për mësuesit 950 euro”.

Por, vijoi ministrja, krahas rritjes së pagës çdo mësues tashmë vlerësohet më shumë edhe për vitet e eksperiencës dhe kualifikimet duke dyfishuar shpërblimet për përfitimin e kualifikimit si mësues i kualifikuar dhe mësues specialist dhe duke rritur me 50% shpërblimin për mësuesit mjeshtër.

“Një politikë nxitëse kjo për mësuesit e rinj që i bashkohen sistemit arsimor dhe për të rinjtë për të zgjedhur profesionin e mësuesisë”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “buxheti i arsimit vijon të financojë përmirësimin infrastrukturor të të gjithë objekteve arsimore të parashikuara në planin tonë të financimit për rindërtimin dhe rehabilitimin e shkollave, terreneve sportive në të gjithë vendin”.

“Nisur nga investimet e 2023 si cikël buxhetor 2023, 2024, 2025, 100 objekte arsimore kanë përfituar nga buxhetimi jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe në partneritet me bashkitë dhe nga programet e partnerëve tanë ndërkombëtarë si ai Bashkimit Europian për shkollat”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu vuri në dukje se “përgjatë 2024 janë hapur 40 kantiere të reja në më shumë se 30 bashki të vendit duke synuar jo vetëm modernizimin e kushteve në shkollat tona në klasa, ambiente laboratorike, palestra, ambiente rekreative për zhvillimin e orëve mësimore, por edhe ato jashtë shkollore, pasi shkollat po shërbejnë gjithnjë e më shumë si qendra komunitare”.

“Buxheti faktik nuk është thjesht një statistikë financiare, por në fakt një reflektim i prioriteteve dhe angazhimeve tona ndaj qytetarëve. Për MAS, ky është një moment për të parë realisht arritjet dhe sfidat në arsim për të parë se si investimet tona janë kthyer në më shumë mundësi për nxënësit dhe mësuesit tanë si dhe për çdo qytetar të këtij vendi si dhe për të kuptuar se ku duhet të përmirësojmë më tej.

Në drejtim të digjitalizimit, Ministrja tha se 216 laboratorë SMART janë shtuar në 200 shkolla në të gjithë vendin, duke e çuar në 300 numrin e institucioneve që tashmë ofrojnë platforma interaktive për mësimin dhe zhvillimin e aftësive digjitale.

“Përmes këtyre investimeve, po i japim mundësinë 35 mijë nxënësve që të rrisin aftësitë e tyre përmes teknologjisë. Investimi në SmartLabs do të vijojë në 600 shkolla të tjera në dy vitet në vijim” shtoi Manastirliu.

Ministrja theksoi gjithashtu mbështetjen sociale për nxënësit dhe studentët, duke përfshirë shpërndarjen e teksteve shkollore falas për mbi 238 mijë nxënës dhe ofrimin e rreth 3500 bursave për nxënësit në nevojë, mbështetjen për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin degët prioritare si dhe student ekselentë.

Investimet e qeverisë për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor kanë qenë një tjetër prioritet.

“Me ndërkombëtarizimin e universiteteve kemi marrë masa konkrete dhe kemi bërë arritje të prekshme në këtë drejtim që nga Fakulteti i i Gjeologjisë, nga i Arkitekturës dhe Urbanistikës te ai i Durrësit buxheti po mbështet në infrastrukturës dhe gjithashtu me ngritjen e laboratorëve të rinj apo pajisjen me aparatura modern të atyre ekzistues, duke rritur cilësinë e mësimdhënies, por edhe duke nxitur kërkimin shkencor. Po ashtu u hapet udhë edhe shërbimit ndaj të tretëve. Është rritur mbështetja për kërkimin shkencor dhe inovacionin, duke rritur ndjeshëm numrin e projekteve të mbështetura nga buxheti i shtetit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, por edhe numrin e kërkuesve, pedagogëve, studentëve pjesëmarrës në këto projekte.”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se të gjitha këto investime kanë ecur paralelisht me përpjekjen për të ngritur cilësinë e arsimit të lartë përmes reformimit, profilizimit, ndërkombëtarizimit, bashkëpunimeve me institucione ekselente ndërkombëtare, por edhe duke rritur konkurrencën përmes shtimit të ofertës akademike, që ofrojnë në vendin tonë tashmë institucione elitare si Kolegji i Europës dhe UNED, teksa pritet të ngrihen filialet e Universitetit Teknologjik të Stambollit dhe Universitetit Teknologjik të Compiegne, Francë.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›