E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manastirliu: Rinia dhe arsimi, ura të fuqishme që lidhin vendet e rajonit me BE-në

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “rinia dhe arsimi janë dy ura dhe shtylla të fuqishme që lidhin vendet tona të rajonit dhe vendet e Bashkimit Europian”.

Në fjalën e saj në konferencën 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, “Shqiptarët në rajon – identitet i përbashkët evropian: Fuqizimi i zërave rajonalë në rrugën drejt BE-së”, Manastirliu theksoi se “procesi i anëtarësimit në BE nuk është thjesht një proces teknik apo burokratik dhe nuk mjaftojnë reformat administrative, por është një proces tërësor që angazhon gjithë shoqërinë dhe ka në fokus kapitalin njerëzor”.

“Investimet në arsim për ne janë më të rëndësishmet sepse përmes arsimit ne formësojmë dijen dhe i pajisim brezat e rinj me aftësitë që kërkon koha dhe e ardhmja dhe sigurisht me aftësitë që kërkon zhvillimet e sotme me këtë zhvillim të madh teknologjik, inovacioni që është duke ndodhur”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu e vuri theksin tek bashkëpunimi dhe përpjekjet për forcimin e identitetit kombëtar e kulturor në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe, fuqizimin e kulturave, dhe traditave shqiptare.

“Kemi bërë hapa konkretë sa i përket mësimit të gjuhës shqipe në diasporë për të trashëguar gjuhën tonë, për të fuqizuar mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë dhe të vijojmë të zgjerojmë këtë rrjet të mësuesve jo vetëm përmes trajnimeve dhe edukimit në vazhdim të tyre, por edhe përmes mbështetjes financiare, të njëjtën skemë sikurse kemi përdorur në programin e parë që tashmë e kemi institucionalizuar të mësuesve të gjuhës shqipe në Greqi”, theksoi Manastirliu.

Më tej, ministrja e vuri theksin tek zhvillimi intensiv në fushën e arsimit të lartë.

“Janë me dhjetëra marrëveshje që kemi me vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi. Kemi bashkëpunime në fushën e kërkimit shkencor që na kanë sjellë më afër njëri-tjetri kur bëhet fjalë për projekte të përbashkëta, aplikime në projekte bilaterale, trilaterale në program të lëvizshmërisë të Erasmus plus, ku kemi një intensifikim të lëvizshmërisë qoftë të stafeve akademike, por edhe të studentëve, jo vetëm në universitet evropiane, por edhe në universitetet tona”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›