E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu publikon planin e ri të masave kundër bullizmit dhe kërcënimeve digjitale në shkolla

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Sot u prezantua Plani i Ri i Veprimit, një nismë e rëndësishme e Ministrisë së Arsimit, në bashkëpunim me institucione dhe partnerë ndërkombëtarë, në përfundim të turit të konsultimeve me prindër, ku u realizuan 1300 konsultime me pjesëmarrjen e 65 mijë prindërve në të gjithë shkollat e vendit, për të adresuar dhe përmirësuar sigurinë në shkolla.

Ky plan synon të forcojë masat kundër dhunës, bullizmit, dhe kërcënimeve digjitale, duke ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët.

Në fjalën e saj në takimin me prindërit dhe mësuesit për planin i ri të veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministrja Manastirliu tha se “me këtë plan vendosim rregulla të reja dhe masa shtesë për sistemin e monitorimit të telefonave celularë gjatë orëve mësimore si dhe forcojmë mekanizmat e referimit proaktiv dhe sinjalizimit të hershëm për rastet e dhunës dhe bullizmit si dhe bullizmit kibernetik, përmes përdorimit të platformave online në referimin e incidenteve në shkolla dhe jashtë tyre”.

Ministrja Manastirliu tha se “planifikojmë shtimin me 350 punonjës psikologë dhe punonjës socialë në shkolla duke mbërritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët e shoqërisë civile, ato zhvillimorë, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, institucionet te sigurisë kibernetike dhe përfaqësuesve të universiteteve, do ngrihet rrjeti kombëtar për mbështetjen digjitale, që do të ndihmojë në sigurinë online të nxënësve në shkolla”.

“Do të rrisim shërbimet online të platformës digjitale SMIP, për t’i dhënë mundësi mësuesve dhe prindërve të raportojnë dhe të shkëmbejnë informacion në kohë reale përmes Fletores së komunikimit online”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu vuri në dukje se “masat që propozojmë lidhen me: miratimin e Kodit të Ri të Etikës për mësuesit; standarde të reja profesionale për sjelljen dhe përgjegjësinë e mësuesve lidhur me përdorimin etik të teknologjisë, rolin model në hapësirat digjitale; si dhe angazhimi në kompetencat digjitale personale duke përdorur platforma të sigurta të shkollës”.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “një nga masat është fuqizimi i Këshillave të Prindërve, të cilët do të marrin rol edhe në vlerësimin e drejtuesve të shkollës; rol në vendimmarrje në shkollë për aktivitete jashtë shkollore, duke mundësuar autonomi financiare në shkollë dhe menaxhim përmes bordeve të shkollës. Organizimi i Kuvendeve Rajonale periodike, ku do të shërbejnë si nxitës së politikave dhe vendime që i shërbejnë komunitetit. Edukimi përmes përmirësimit të kurrikulave dhe teksteve të Edukimit Qytetar, Digjital, Mediatik dhe Ligjor, është një tjetër masë që parashikojmë për të vendosur”.

Në përmbyllje, ministrja foli për konceptin e Shkollës së Hapur si një nga katër drejtimet e Planit të Ri të Veprimit.

“Në fund por jo për nga rëndësia është Shkolla e Hapur. Një shkollë e hapur është një shkollë që shërben komunitetin. Plani përfshin zgjerimin e programeve Shkolla Qender Komunitare, Toka ime në shkollë; rritjen e numrin e nxënësve të përfshirë në programin e “Ekipeve Sportive në Shkolla”, duke synuar përfshirjen e mbi 20,000 fëmijë në programet jashtë shkollore sportive dhe kampionatet sportive në shkolla. Dhe duke nisur nga 2025 krijojmë modelin e parë për programet pas shkolle dhe shkollat verore përmes pilotimit në shkollat e Tiranës, duke siguruar që fëmijët të kenë hapësira të sigurta edhe jashtë orarit mësimor. Ky plan nuk mund të jetë i suksesshëm pa ju. Ju jeni partnerët më të ngushtë të mësuesit. Ndaj dhe kontributi juaj është i pazëvendësueshëm për të ndërtuar shkolla të sigurta dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›