E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu thirrje: Të fuqizojmë rrjetin e dhuruesve vullnetarë në ndihmë të fëmijëve talasemikë

Në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe mjekët që trajtojnë të sëmurët talasemikë, u kanë drejtuar një thirrje të gjithë qytetarëve, për të rritur ndërgjegjësimin për dhurimin vullnetar të gjakut. 

“Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, si dhe në çdo ditë të vitit, të bëhemi të gjithë bashkë, për të rritur ndërgjegjësimin për dhurimin vullnetar të gjakut, në ndihmë të fëmijëve talasemikë. Të solidarizohemi me kë ka më shumë nevojë, të fuqizojmë rrjetin e dhuruesve vullnetarë, duke kontribuar përmes këtij akti human për shpëtimin e jetëve”, tha zonja Manastirliu në mesazhin e saj.

Dr. Daniela Nika, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Patologjive të Lindura të Gjakut në QSUT tha se “të gjithë pacientët tanë të vegjël kanë nevojë për një transfuzion gjaku, ata vuajnë nga sëmundje si talasemia, hemofilia, por edhe sëmundje të tjera malinje të gjakut, anemi të ndryshme, ndaj ju bej thirrje të gjithë njerëzve që të ndërgjegjësohen dhe t’i mbështesin këta fëmijë”.

“Në përditshmërinë time kujdesem për pacientët me talasemi major dhe drepanocitozë, ata janë pacientë të vegjël dhe të rritur të cilët kanë nevojë për gjak. Bejini ata të ndjehen të lumtur, bëjini ata kenë një jetë cilësore duke dhuruar gjak nga gjaku juaj, i cili shumë shpesh do të zvëndësohet dhe ju do të ndjeheni më të freskët se asnjëherë tjetër”,- shprehet Prof. Asc. Manika Kreka mjeke e Shërbimit të Onko-hematologjisë Pediatrike në QSUT.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, dr. Irena Seferi tha se “ne si Qendër Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut në këtë ditë falënderojmë të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut në vendin tonë dhe ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të dhurojnë gjak, të dhurojnë komponentë gjaku dhe të dhurojnë shpesh”.

Nevojat për gjak në stinën e verës rriten, për këtë arsye thirrja e të gjitha institucineve shëndetësore është për më shumë dhurime vullnetarë në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për gjak. 

14 Qershori njihet si Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut. Slogani i këtij viti është: “Dhuro gjak, dhuro jetë, dhuro plazmë, dhuro shpesh”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›