E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Siti, gati "çmenduria" për Kaka

Mançester Siti vazhdon të ëndërrojë afrimin e Rikardo Kaka. Ish-fituesi i "Topit të Artë" ndodhet prej kohësh në krye të listës së dëshirave të sheikut Mansur Bin Zajed Al Nahjan. Sipas "Daily Express", një delegacion i klubit anglez ka planifikuar të udhëtojë drejt Milanos, për të blerë fantazistin kuqezi. Synimi është që marrëveshja të mbyllet menjëherë, por tabloidi britanik nënvijëzonte se përfaqësuesit e Sitit janë të gatshëm ta lejojnë brazilianin të qëndrojë nën urdhrat e Ançelotit deri në fund të sezonit (në muajin korrik). Oferta do të bëhet nga administratori i Mançester Sitit, Geri Kuk, dhe drejtori operativ, Pol Aldrixh: klubi nga "Istlends" mund t‘i sigurojë mesfushorit një rrogë javore me vlerë afro 221 mijë euro. Nëse pranon ofertën, Kaka do të bëhej futbollisti më i paguar në botë. Për të bindur yllin e Milanit që të kalojë te Siti, duket se po punon edhe Robinjo. Ish-lojtari i Realit të Madridit, i afruar në fillim të sezonit nga sheiku Mansur, duke thyer rekordin e transferimeve në Britaninë e Madhe (braziliani kushtoi afro 42 milionë euro), njihet për miqësinë me Kaka. Por, mes dëshirave dhe lëvizjeve konkrete, pavarësisht shifrës marramendëse që arabët janë të gatshëm të paguajnë, pengesa reale është Silvio Berluskoni... Mançester po punon edhe për objektivat afatshkurtra, ku synohet Kreig Bellami dhe Skot Parker nga Uest Hem. Pavarësisht gjendjes së rënduar financiare, klubi londinez ka refuzuar 10 milionë euro për sulmuesin nga Uellsi dhe këmbëngul se edhe Parker nuk është në shitje.

Duke u kthyer te Milani, përveçse po mendojnë si të "mbrohen" nga milionat e Sitit, drejtuesit zikaltër kërkojnë të përforcojnë kontingjentin. Adriano Galini shpreson që Bordo të mos blejë edhe gjysmën tjetër të kartonit të Johan Gurguf. Për "L‘Equipe", administratori kuqezi deklaroi: "Në sezonin e ardhshëm ai do të luajë me Bordonë ose me ne, jo në ndonjë skuadër tjetër. Johan është ende lojtar i Milanit dhe shpresojmë. Nëse francezët nuk paguajnë 15 milionë euro (vlera e përcaktuar për gjysmën e kartonit të mesfushorit), atëherë ai do të kthehet në Serinë A dhe do të jetë pjesë e skuadrës. Nuk do ta kalojmë në asnjë klub tjetër në formë huazimi". Gjithsesi, Gurguf ka theksuar se në rast të rikthimit te Milani nuk do të pranojë rolin e zëvendësuesit, pas sezonit të jashtëzakonshëm në Ligën I. "Nëse kthehet, do të ketë në dispozicion minutat që meriton, siguroi Galiani. Johan është një lojtar i madh, këtë e ka treguar me paraqitjet te Bordo dhe në Kombëtaren franceze. Te Milani do të ketë vend edhe për të".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›