E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tashmë ka krizë te Çelsi, edhe Anelka kundër Skolarit

Ujëra gjithnjë e më të turbullta në shtëpinë e Çelsit pas përplasjes së ashpër mes Luiz Felipe Skolarit dhe Nikolas Anelkas. Ky i fundit është irrituar për qëndrimin si rezervë për të tretën herë radhazi. Sikur të mos mjaftonte fitorja e vetme në 6 ndeshjet e fundit për të gjeneruar tensionin në ambientet e "Stamford Bridge", komplikohen gjithnjë e më shumë raportet mes teknikut me një pjesë të futbollistëve. Gjatë javëve të shkuara kanë qarkulluar zëra se senatorët e skuadrës, Xhon Terri e Frenk Lampard, kishin vënë në diskutim intensitetin e stërvitjeve të "Blues", duke kritikuar edhe disa taktika, por edhe për një trajtim preferencial që trajneri i bën Dekos. Të premten e shkuar, shkruan "Sun", ka shpërthyer çështja "Anelka". Sulmuesi francez, golashënuesi i Premier League me 14 gola, e ka humbur vendin e titullarit nga rikthimi në aktivitet i Didier Drogba, dhe në tri ndeshjet e fundit është aktivizuar nga stoli. Sipas tabloid britanik, Anelka, pas thirrjes së Skolarit, jo vetëm ka refuzuar të luajë si mesfushor i majtë në vend të Xho Kol, por nuk e ka fshehur aspak irritimin e tij. "Në këto momente te Çelsi nuk funksion asgjë, janë fjalët e një informatori anonim. Madje po ngrihen gjithnjë e më shumë pikëpyetje për mënyrën e stërvitjes nga Skolari". Nesër Çelsi do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj FA Cup ndaj Southend: një humbje me pasojë eliminimin, do ta rëndonte jo pak pozicionin e trajnerit, i cili, shkruante dje "Daily Express", ka përfituar tetë javë "armëpushim" nga ana e Roman Abramoviç. Nga ana tjetër, me katër pikë distancë nga kryesuesi Livepul dhe të qenit në prag të ndeshjes së Champions League kundër Juventusit, kanë bërë që sezoni i "Blues" për momentin të mos jetë i kënaqshëm. Ja se përse, sipas "the Times", ish-trajneri i Portugalisë dhe i Brazilit nuk e rrezikon shkarkimin deri në fund të sezonit: objektivi minimal është të qëndrojnë në garë në tri fronte sa më shumë që të jetë e mundur. Gjatë kësaj kohe, Skolari, i zhgënjyer për paraqitjen shumë të keqe të dielën në "Old Trafford" kundër Mançester Junajtid, u ka drejtuar mesazhe të qarta të tijve: "Duhet të flas me lojtarët, ata duhet të pyesin veten nëse besojnë akoma te titulli. Kam vetëm dy zgjedhje para vetes: ose të besoj te këta lojtarë, ose të provoj lojtarë të tjerë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›