Manchester United rikthehet tek fitorja

Bruno Fernandes dhe Marcus Rashford vodhën shfaqjen ndërsa Manchester United u kthye në vendin e dytë në tabelën e Premier League me një fitore 3-1 ndaj Newcastle në Old Trafford. Pas dy barazimeve të dy ndeshjeve të fundit, të besuarit e Solskjaer më në fund janë rikthyer në rrugën e fitoreve.
Miqtë bënë një nisje të mirë të sfidës, por u surprizuan pas gjysmë ore lojë nga magjia e Rashford, me një veprim solo, duke mposhtur portierin Karl Darlow.
Newcastle u përgjigj gjashtë minuta më vonë, Allan Saint-Maximin arriti të gjejë momentin e duhur për të goditur saktësisht në portën e United, duke vendosur barazpeshën në 1-1.
Magpies ishin skuadra më e mirë edhe pas intervalit, por edhe një herë ekipi vendas vodhi skenën me një tjetër gol. Daniel James u la i lirë në veprim, duke ndëshkuar të besuarit e Steve Bruce me një finalizim të saktë në minutën e 57-të.
15 minuta nga fundi, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer ka arritur të gjejë dhe golin e sigurisë, me Fernandes, i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë, e fituar nga Rashford
Me këtë fitore, United ngjitet në kuotën e 49 pikëve, 10 më pak se Manchester City i vendit të parë. Newcastle mbetet i 17-ti dhe tani është vetëm tri pikë mbi Fulham, që aktualisht zë vendin e tretë nga fundi.