Mandati i Seserit, priten debate në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës e cila pritet të shoqërohet me debate mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me mandatin e Rudina Seserit.
Zëvendësimi i mandatit të deputetes socialiste të qarkut të Durrësit është shoqëruar me debate në Këshillin e Mandateve mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës në këtë këshill.
Kuvendi pritet të votojë në seancën e sotme për plotësimin e vendeve vakante në institucione ndërsa pritet të ketë debate edhe për pr/ligjin për shoqëritë bujqësore.
Ndërkohë disa prej projektligjeve të cilat janë vendosur në rendin e ditës si projektligjet “Për shëndetin mendor”, “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Gjykatën Administrative pritet të shtyhen pasi vijon ende shqyrtimi në komisione.
Më pas deputetët do të diskutojnë projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare “Për thjeshtimin dhe harmonizimin e procedurave doganore”, bërë në KYOTO, më 18 maj 1973 (e ndryshuar)”.
Gjithashtu në seancën e sotme do të shqyrtohet edhe një projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Prokurimeve për vitin 2011”.
Në rendin e ditës është planifikuar edhe një interpelancë me Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit kërkuar nga deputeti socialist Erjon Braçe.