E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mandati i Xhaçkës, Zhupa: Kuvendi të enjten të votojë për dërgimin në “Kushtetuese”

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa foli sot në Konferencën e Kryetarëve për opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

“Kjo Konferencë Kryetarësh duhet kishte pikë të parë ndjesën tuaj për vërdallisjen dyvjeçare për të mbrojtur Edi Ramën me mandatin e Olta Xhaçkës”, tha ajo, duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës.

Zhupa u shpreh se, “qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke thënë atë që çdo jurist e dinte, që zbatimi i vendimeve të GJK është i panegociueshëm dhe nuk mund të varet nga vullneti politik i një mazhorance”.

Zhupa iu drejtua edhe Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, duke u shprehur se nuk zbaton atë që thotë Komisioni i Venecias.

“Znj. Spiropali, investove Komisionin e Venecias që më pas mos ta zbatoje atë që thotë Komisioni i Venecias, edhe flisje sikur kishe lexuar gjuhë marsiane. Me logjikën tuaj ju jeni mbi Kushtetutën, me logjikën tuaj deputeti është mbi Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jo e kundërta”, tha Zhupa.

“Me këtë puç kushtetues ju i jepni fund shtetit të së drejtës dhe legjitimoni që jemi në diktaturë. Nesër Gjykata Kushtetuese vendos që një ligj është antikushtetues, me logjikën tuaj ju mund ta votoni njëlloj, se nuk pyesni. Me këtë standard asnjë deputeti të mazhorancës nuk mund t’i hiqet kurrë mandati, sepse e mbrojnë votat politike. Ju mund të bëheni investitor strategjik, ju mund të merrni prona publike, tendera. Sot Olta, nesër kushdo”, theksoi Zhupa.

“Jeni betuar në Kushtetutë, apo jeni betuar për kokën e Edi Ramës? Më vjen keq që znj. Bushka po djeg diplomën e saj duke thënë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë detyruese për Kuvendin”, u shpreh më tej Zhupa.

Zhupa kërkoi në emër të grupit që raporti për mandatin e Xhaçkës të futet të enjten në votim dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Të mos mbani peng Kuvendin për interesa klienteliste, të fusni të enjten për votim raportin dhe ta dërgoni menjëherë po nesër në Gjykatën Kushtetuese”, tha Zhupa.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›