Mandati i parë, tregues se e djathta mban premtimet
Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës Fushë Krujë – Krujë dhe shpalli ambicien e kabinetit “Berisha 2” që vendi të shpëtojë nga mesjeta infrastrukturore, përmes planit të investimeve masive, si në fshatra, ashtu edhe në qendrat e mëdha urbane
TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha vizitoi dje qytetin e Fushë-Krujës, ku inauguroi fillimin e punimeve të rrugës Fushë Krujë-Krujë dhe përfundimin e punimeve të disa veprave publike në këtë rreth, investime të buxhetit të shtetit.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Fushë Kruja, ku mori pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve të disa veprave publike, investime të buxhetit të shtetit, se qeveria do të zbatojë në të gjithë vendin projektet e asfaltimit të rrugëve, si një nga prioritete e saj kryesore, për të krijuar infrastrukturë të njëjtë si në qytet ashtu edhe në zonat rurale.
Ndryshimi i madh që përjeton qytetarët anekënd vendit
Në fjalën e tij përshëndetëse, gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës Fushë Krujë – Krujë, kreu i qeverisë Berisha u shpreh se qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Fushë-Krujës, duhet të ndihen më krenarë se kurrë, sepse pas një jave Shqipëria do të rivendoset aty ku prijësi ynë legjendar e vendosi dhe e projektoi atë.
“U deshën shekuj udhëtimi shumë të vështirë të këtij kombi, pas vdekjes së Tij, që ne të zëmë sërish vendin që meritojmë përkrah kombeve më të zhvilluara të perëndimit dhe të botës”, u shpreh kryeministri Berisha.
Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se për realizimin e këtij akti madhor historik, ne kemi pasur ndihmën e çmuar dhe të madhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të vendeve anëtare të saj, por faktor përcaktues ka qenë burri i madh i kombit amerikan, Presidenti Xhorxh W. Bush, i cili solli në Tiranë, në Fushë Krujë dhe kudo në Shqipëri, mesazhin historik; Shqipëria në NATO!
“Për të gjithë ata që i thonë dritës-dritë, i thonë ditës-ditë, i thonë ndryshimit- ndryshim, ky është ndryshimi më i madh që qytetarët e Fushë Krujës dhe qytetarët e mbarë Shqipërisë kanë përjetuar dhe do të përjetojnë në jetën e tyre. Ky është realizimi më madhështor, i atyre, të cilët të frymëzuar nga Skënderbeu dhe Rilindësit tanë projektuan Shqipërinë zonjë në perëndim”, theksoi Berisha.
Drejtuar qytetarëve të Fushë - Krujës, kryeministri Berisha u shpreh se brenda tre muajve që vijnë do të fillojë ndërtimi i një serie veprash, në mënyrë që brenda vitit qytetarët e Fushë Krujës të keni infrastrukturën më moderne, infrastrukturën që meritojnë si vend i zhvilluar.
“Unë ju jap fjalën se të gjitha këto premtime ne do t’i shndërrojmë në realitet. Besoj se ky mandat qeverisjeje ka bindur çdo shqiptar, pavarësisht nga përkatësia politike, se kjo qeveri premtimet i shndërron në realitet. Gjithashtu, unë jam sot këtu për t’u zotuar se qeveria ime do të mbështesë çdo projekt të këtij qyteti; unazën e qytetit, asfaltimin e të gjitha rrugëve të prekshme tij, si dhe institucione të tjera kulturore apo sportive, për të cilat ju jeni të interesuar. Shpreh bindjen se së bashku, në mandatin e dytë, do të shndërrojmë në realitet dhjetëra e dhjetëra projekte, të cilat presin për t’u zbatuar”, vuri në dukje Berisha.
Prioriteti i qeverisë, asfaltimi i rrugëve në mbarë vendin
Kreu i qeverisë Berisha, i shoqëruar nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor, inauguroi përfundimin e sistemimit dhe asfaltimit të të gjitha rrugëve lidhëse të fshatit Luz i Poshtëm. Berisha u shpreh se fshati Luz i Poshtëm, në të cilin asfalti shkon në çdo derë shtëpie,do ta kishin shumë lakmi pjesa dërrmuese e lagjeve dhe rrugëve të Tiranës.
Ai përgëzoi Kryetarin e bashkisë së Fushë- Krujës për vëmendjen që ka treguar ndaj këtij fshati dhe siguroi të gjithë banorët e fshatrave të Shqipërisë se krijimi për to i infrastrukturës së njëjtë me qytetin, është një nga qëllimet më kryesore të qeverisë.
“Ky është fshati Luz i Poshtëm, në të cilin asfalti shkon në çdo derë shtëpie. Këtë fshat do ta kishin shumë lakmi pjesa dërrmuese e lagjeve dhe rrugëve të Tiranës. Dua të përgëzoj Kryetarin e bashkisë së Fushë- Krujës, për vëmendjen që ka treguar ndaj këtij fshati dhe dua t’i siguroj të gjithë fshatrat e Shqipërisë se krijimi për to i infrastrukturës së njëjtë me qytetin, është një nga qëllimet më kryesore të qeverisë sime. Shpreh zotimin tim që ky projekt të vazhdojë në mbarë vendin, në mënyrë që të lehtësojmë jetën e qytetarëve shqiptarë. Kur them në mbarë vendin, jam shumë i vetëdijshëm se janë jo mijëra, por dhjetëra mijëra kilometra rrugë për t’u asfaltuar. Por, këto katër vite na kanë dhënë kurajë të madhe. Sepse në këto katër vite, ne ia kemi dalë që të realizojmë që të realizojmë projekte edhe jashtë parashikimeve tona. Kemi asfaltuar mijëra e mijëra metra rrugë në zonat rurale. Vërtetë mediat, me shumë të drejtë ndalen në akset kombëtare rrugore, por unë ju garantoj se, e vlerësuar me kilometra, shumë më të shumta janë kilometrat që ne kemi investuar në rrugët rurale, në infrastrukturën e fshatrave”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë ftoi qytetarët që, së bashku të vazhdojmë rrugën e nisur, sepse së bashku kemi realizuar ndryshime epokale.
“NATO dhe anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Aleancë ndan epokat në këtë vend. Së bashku, ne kemi realizuar transformime të mëdha, në infrastrukturë e në çdo fushë, së bashku ne kemi realizuar rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve”, nënvizoi Berisha.