Intervista/Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Berisha: Realizova projektin ëndërr
Që nga dhjetori i viti 90, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ka qenë një projekt ëndërr për mua, për të cilën kam punuar me përkushtimin më të madh. Kështu u shpreh mbrëmë në emisionin “Logo” në TVSH, kryeministri Sali Berisha, duke sjellë në vëmendje zhvillimet vendimtare të viteve ‘90-të, të cilat i hapën rrugë integrimit të vendit në strukturën atlantike të lirisë. “Nëse kthehemi sëbashku në vitin ‘91 dhe rikujtojmë startin e Shqipërisë, mund të them se Shqipëria të dukej shumë vite larg vendeve të tjera lindore. Vendet e tjera lindore nuk kanë vuajtuar, aq sa Shqipëria. Nuk ka vuajtur Polonia, Çekia apo Hungaria. Shqipëria ishte në shkallën më të rëndë të mjerimit. Shqipëria vuante nga uria. Ndërmarrjet ishin tërësisht të falimentuara. Natyrisht, Shqipëria nuk mund të pretendonte të ishte e njëkohshme për t’u integruar në NATO krahas më vendet që u integruan më parë”, tha kryeministri.
Kryeministri Berisha iu referua edhe kolapsit shtetëror e ekonomik të ’97-s, ku deklaroi se po të mos kishtë qenë kriza financiare dhe rebelimi i atij viti, Shqipëria do të ishte shumë përpara dhe do ta kishte realizuar vite më parë këtë event. “Në vitin 1996, Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë me rritje dyshifrore. 80% e prodhimit vinte nga sektori privat. Shqipëria ishte i pari vend në evropën ish komuniste, që kishte kërkuar anëtarësimin në strukrurat euro-atlantike. Në vitin 1995, Bashkimi Evropian, prezanton Librin e Bardhë, ku parashikohej qartë se Shqipëria do të niste shumë shpejt negociatat për anëtarësim. Por çfarë ndodh. Ndodh kriza financiare. Ndodh rebelimi komunist i 97-ës. Ata që ndërtuan firmat piramidale u bënë ministra. Ata që organizuan rebelimin erdhën në pushtet dhe ndërtuan murin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo u kalua. Kjo shënon sigurinë lirinë përfundimtare dhe mundësinë e plotë të kombit tonë”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë Berisha, deklaroi se pas “ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike ndonëse kisha një mazhorancë shumë të madhe, në parlamentin shqiptar silleshin rezoluta kundër integrimit në NATO, dhe ky ishte stadi i Partisë Socialiste dhe eksponentëve të saj, me përjashtim të disave si Meta, Majko”. “Më vonë PS ishte në pushtet kur u nënshkrua karta A3 dhe është meritë e padiskutueshme e saj zanafilla e kësaj nisme. SHBA krijoi një mekanizëm për anëtarësimin e këtyre vendeve. Por sërish muri i krimit dhe korrupsionit pengoi çdo gjë, pasi ne u renditëm në 24 vendet më të korruptuara të planetit.
Sot mund të themi se në tërësi ky problem është zgjidhur e shqiptarët e mbështesin masivisht anëtarësimin
Një ditë para nisjes për në Bukuresht, zëdhënësja e politikës së Jashtme të PS-së , deklaroi se Shqipëria nuk do ta marrë ftesën. Më pas mblodhën një miting dhe nxorën portretet e diktatorit në shesh dhe gjithçka e organizoi Partia Socialiste. Pastaj pati edhe pengesa të tjera, si përcaktimi para 2 vjetësh, për shkak të kontestit të Maqedonisë, se kriteri i anëtarësimit ishte individual. Por për ne, duke qenë shumë modestë, nuk ka diskutim se kjo datë përbën datën më të jashtëzakonshme në historinë e kombit”, tha Berisha.
Gjatë intervistës së mbrëmshme, kreu i ekzekutivit, vuri në dukje se kjo qeveri e ka bërë këtë vend normal dhe kjo është gjëja më kryesore. “Evropa dhe bota po përjeton krizën më të madhe të krizës, janë sot vendet balltike, vendet në rajon, po ulin rrogat, po ngrijnë buxhetin, kurse ky vend shpallet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare se do të jetë vendi me rritjen më të madhe ekonomike. Kjo qeveri ia doli të vendosë shina të atilla në ekonomi, sa sot, pavarësisht kambanave të opozitës për krizën, institucionet ndërkombëtare dhe mediat e huaja pohojnë se Shqipëria nuk preket nga kriza. Qeveria ka garantuar furnizimin me energji elektrike 24 orë. Kemi importuar në periudha të ndryshme të vitit 2008, dhe kemi bërë të mundur, sigurimin e saj. Kemi importuar gjatë viti 2008 katër herë më shumë se në vitin 2004. Kemi firmosur 50 kontrata konçensioni dhe pothuajse 20 prej tyre pritet të fillojnë së shpejti”, nënvizoi kreu i qeverisë.
Zgjedhjet parlamentare - të lira dhe të ndershme. Rama të mos ketë frikë
Kreu i qeverisë dha mbrëmë garancinë se zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në një klimë të plotë konsensusi dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Duke iu referuar procesit të kartave të identitetit, Berisha tha se me kartat e reja, Shqipëria përmbush një standard zgjedhor. Berisha citoi zv/presidentin Joe Biden në vitin 2004, ku theksoi se “shpreh ndjenjat më miqësore për shqiptarët, por kanë një problem të madh se nuk bëjnë zgjedhje të lira”. “Në zgjedhje po shkojmë me një kod zgjedhor konsensual. Rama ka frikë nga vota. Prandaj thotë të jepen falas 35 milionë euro. Askush nuk e bën këtë. Çmimet për kartat janë të arsyeshme”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se “jam 100% i sigurtë se këto do të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme”. “Po të kthehemi në 2007-ën ato janë zgjedhjet e para që asnjë forcë politike nuk i ka kontestuar. Z.Meta deklaroi se këto ishin zgjedhje të lira. Kishte probleme, kryesisht teknike”.
Prokuroria nuk bën hetimet për Gërdecin, por beteja politike
Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish Prokurorinë e Përgjithshme, se po përpiqet të bëjë beteja politike dhe jo hetime lidhur me ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Ai theksoi se organi i akuzës mori për bazë akuzat politike, duke dështuar hetimet. “Prokuroria ka përdorur akuza politike. Akuzat e atyre që manipuluan hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Prokuroria nuk mund të bëjë beteja politike. Shqiptarët nuk mund të durojnë përdorimin e shpirtrave të 26 viktimave. Ata kërkuan të bëjnë politikë me shpirtrat e njerëzve të vdekur”, tha Berisha.
Berisha për Ramën
Po të jetë për kurth për të rrënuar jetën e tjetrit, ai është i pashoq në Evropë. Janë botuar, janë të gjitha në media. Nuk janë arritjet e mia, për të cilat unë do të kërkoj votën, arritjet e mia do të shërbejnë si besim në mbajtjen e fjalës. Unë kam platformën time të drejtimit dhe zhvillimit të vendit.
Berisha për Mediun
PR është themeluar një muaj pas PD-së dhe është aleatja më e domosdoshme e Partisë Demokratike.
Pas tragjedisë së Gërdecit, z.Mediu dha dorëheqjen, me këtë akt bëri zgjidhjen më të duhur. Unë nuk mund të paragjykoj z.Mediu. Këto janë tërësisht jashtë kulturës sime.
Unë nuk i lexoj gjërat bardhezi. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Sapo nisi cikli i 8-të i planit të veprimit, ai bëri përpjekjet më të mëdha në këtë proces dhe unë nuk mund ta injoroj atë.
Si i akuzuar, ai do të shkojë në gjykatë aq herë sa do ta thërrasë gjykata. Ne jemi në një shtet ligjor.
Pasardhësi në krye të PD-së - Vendimet i takojnë Kongresit
PD nuk është pronë e imja dhe është larg çdo koncepti që unë mund ta konsideroj atë si pronë. E rëndësishme është që zgjedhjet do fitohen, në atë parti ka një seri personalitetesh. Por këtë do ta vendosë kongresi. Vendimet do t’i takojnë Kongresit të Përgjithshëm.