“Mandatin e ardhshëm qeveria do të trefishojë investimet në bujqësi, nga 55 milionë në 165 milion dollarë”
Kryeministri Berisha viziton plantacionet e ullirit dhe të vreshtave ne Vig-Mnelë dhe Hajmel
Kreu i qeverisë Berisha premtoi dje nga Shkodra se me ligjet e reja, qeveria do të japë të gjitha paratë e çdo gjëje që përdoret për prodhim, do japë TVSH-në, para në dorë, TVSH-në e naftës, të plehrave kimike, të kimikateve dhe të fidanëve që mbjellin fermerët, farërave dhe gjithçkaje tjetër. Kryeministri shprehu mbështetje të plotë për sektorin bujqësor në vend, ndërsa fermerëve u dha fjalën se investimet në këtë sektor do rriten nga 5 milion në 165 milionë dollarë
Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje plantacionin e ullirit në Komunën Vig Mnelë. I zoti i plantacionit kishte mbjelle mbi 1000 rrënjë ullinj dhe kishte përfituar nga subvencionet e qeverisë. Duke e falenderuar kryeministrin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria ka dhënë, ai shprehu dhe nevojën për mbështetje për sistemin e vaditjes me pika. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga ai dhe fermerët e tjerë për mbjelljen e ullinjve dhe premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka, si për sistemin e vaditjes me pika ashtu dhe për subvencionimin në këtë zonë të një fabrike për përpunimin e vajit të ullirit me qëllim që kjo zonë, pas verës së Kallmetit të njihet edhe për përpunimin e ullinjve. Kryeministri theksoi gjithashtu edhe domosdoshmërinë për hartimin e një projekti për të disiplinuar lumin Gjader, në mënyrë që të mos dëmtojë vreshtat dhe të mbjellat e fermerëve. Kryeministri Berisha kërkoi nga fermerët, që t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë tokës, “të shkulim çdo shkurre për të mbjellë një ulli apo një vresht, ne nuk kemi tokë për shkurre dhe shkurret t’i kthejmë në dru frutore”. Kryeministri Berisha premtoi se, qeveria do të trefishojë ndihmën gjatë mandatit të ri për fermerët, ndërsa fermerët me punën e tyre të trefishojnë prodhimin.
Në qarkun e Shkodrës mbjelljet e reja dhe futja e teknologjive të reja e bashkëkohore në bujqësi kanë ecur me ritme të larta. Gjatë këtyre viteve vetëm nga skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë për këtë qark kanë përfituar plot 1990 fermerë me një shumë prej mbi 520 milion lekë. Vetëm me këto grante në këtë qark janë mbjellë 638 ha ullishte si dhe 153 ha me vreshta.
Në Komunën Vig Mnellë janë mbjellë plot 30.000 rrënjë të reja me ullinj. Por suksesi me këtë kulturë është evident dhe fermerët kanë filluar që të prodhojnë vaj ulliri cilësor. Krahas subvencioneve për mbjelljet e reja, po mbështetet edhe ujitja me pika në këto ullishte (deri më sot janë mbështetur mbi 5 ha). Fermerët vazhdojnë të investojnë në mbjelljet e reja me ullinj, por gjithashtu kanë mbjellë edhe arra.
Kryeministri Berisha u ndal edhe në komunën Hajmel, zone në të cilën fermerët janë përqendruar kryesisht në kultivimin e vreshtave dhe të ullirit. Kryeministri vizitoi plantacionin me mbi 100 ha me vreshta ku pothuajse e gjithë sipërfaqja është e varietet autokton “Kallmet”, prej të cilave mbi 30 ha janë të mbështetura me grantet e qeverisë. Kryeministri u ndal në Shoqatën e Bashkëpunimit Vreshtor, një kooperativë kjo e krijuar nga fermerët dhe vreshtarët e zonës, të cilët kultivojnë dhe prodhojnë verën tipike të Kallmetit në kantinën me një kapacitet prej 500 Hl.
Nën shoqërinë e një gote vere Kallmeti autokton të prodhuar nga vreshtarët e zonës, kryeministri Berisha u ndal dhe zhvilloi një bashkëbisedim ta.
Kryeministri Berisha përgëzoi për punën e bëre dhe shprehu kënaqësinë për përpjekjen e madhe të fermerëve shqiptarë për të organizuar fermat e tyre mbi bazën e tregut, e prodhimit, e shitjes, e leverdisë dhe jo të vetëmjaftimit. “I tërë qëllimi ynë është që tu mbështesim”, theksoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se qeveria ka dhënë 42 mijë grante. Ai siguroi se gjatë katër viteve që vijnë qeveria do të trefishojë investimet nga 5 milion dollarë dhe do të kalojë në 165 milion dollarë. “Këto para që ne sot detyrohemi t’i përdorim në ndërtimin e rrugëve kudo, shumë shpejt projekti i rrugëve shkon drejt finalizimit dhe ne do i kthehemi vaditjes. Përveç grandit, ne do të bëjmë gjithçka, tu sigurojmë ju vaditjen më moderne dhe më ekonomike që ekziston. Një gjë është e sigurtë, duke ardhur këtu dhe shkuar në çdo rreth unë shoh se çfarë kemi bërë ne për fermat. Ne kemi dhënë në këtë periudhë 30 herë më shumë sesa qeveria socialiste në 8 vite. Ata e filluan nga fund, me naftën dhe nafta avullonte në xhepat e tyre dhe nuk vinte tek fermeri. Ne me ligjet e reja do tu japim juve të gjitha paratë e çdo gjëje që ju përdorni për prodhim, do tu japim TVSH, para në dorë. Do tu japim TVSH e naftës, të plehrave kimike, të kimikateve dhe të fidanëve që mbillni, farërave dhe gjithçkaje tjetër. Kjo është një ndihmë shtesë nga ajo që themi ne 55 milion, kjo ka të bëjë me një politikë të re. Këtu shtohen edhe fonde që ne do të marrim nga Komisioni Europian, pasi të marrim statusin. Bujqësia shqiptare do të ketë mundësi të rrisë shumë prodhimin. Dua të jem i hapur me ju. Pse ne jemi të përqendruar tek bujqësia? Sepse është faktuar sot nga të gjitha studimet se bujqësia është sektori që mund të dhjetëfishojë prodhimin, e vështirë në sektorët e tjerë të thuash se po dhjetëfishon prodhimin, kurse në bujqësi nëse investon, nëse përdor metodat bashkëkohore, nëse bën përzgjedhjet e duhura, garanton vaditjen etj, bujqësia është sektori që dhjetëfishon prodhimin dhe garanton prodhimin, çka do të thotë një mirëqenie më e mirë e qytetarëve tanë, që janë me banim në fshat.”, theksoi kryeministri Berisha.
Gjithashtu në këtë komunë janë mbjellë edhe mbi 130 ha me ullishte, ku të gjitha janë mbjellë falë mbështetjes së granteve të qeverisë.