E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manipulimet me shpirtrat e të vdekurve nuk mund ta shpëtojnë opozitën e bllofeve

Kryeministri Sali Berisha ka qenë dje në bashkinë e Vorës, në zonën që u godit më rëndë nga tragjedia e 15 marsit 2008, duke denoncuar opozitën që po manipulon me shpirtrat e të vdekurve, pasi s’ka asnjë alternativë për t’u paraqitur shqiptarëve, përveç alternativës së mohimit dhe të bllofeve

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Vora, se opozita e majtë, është kthyer në nihiliste dhe manipulatore e dhimbjes njerëzore. Kreu i qeverisë tha se kjo opozitë nuk ka sot asnjë alternativë dhe e vetmja mënyrë për të bërë politike është bllofi dhe mashtrimi i pamasë.
Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Berisha inauguroi përfundimin e disa veprave publike dhe zhvilloi një takim me banorë të Vorës ku u shpreh se përballë alternativës së qeverisë për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, për ndryshimin e jetës së përditshme, për përmirësimin e transportit, ujësjellësve, kanalizimeve, pagave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kërkesës për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, qëndron alternativa e nihilizmit, alternativa e mohimit, alternativa e blofeve, alternativa në bazë të së cilës Shqipëria meriton çdo të keqe.
“Ju e provuat më shumë se kushdo tjetër këtë alternativë, kur opozitarët u përpoqën duke manipuluar shpirtrat e të vdekurve tuaj për karriget e tyre, por ju, burra dhe gra fisnikë, u treguat vendin atyre. Alternativa e mohimit, alternativa sipas të cilës rroftë e keqja dhe poshtë Shqipëria, shtyn opozitarët e sotëm të transmetonin lajme se Shqipëria nuk do e marrë ftesën për anëtarësim në NATO, në kohën kur merrnim ftesën në Bukuresht; në kohën kur ne shkonim të ftuar nga Presidenti Bush ata organizonin mitingje me portrete të Enver Hoxhës. Alternativa e tyre është alternativa e blofeve, alternativa e shpifjeve dhe trillimeve, alternativa me të cilën deklarojnë të vdekurit në aksident si të pushkatuar nga qeveria, alternativa në të cilën premtojnë ndalimin e rritjes së rrogave”, deklaroi Berisha.
Kryeministri deklaroi se qeveria që ai kryeson, në më pak se katër vjet dhe në përputhje me premtimet e saj, ka investuar në këtë bashki, 1 miliardë e 640 milionë lekë, kundrejt 49 milionë lekë që ka investuar qeveria e mëparshme në bashkinë e Vorës.
“Vetëm në këto katër vite, në bashkinë tuaj janë ndërtuar dhe rindërtuar katër shkolla dhe një kopsht. Pra, janë ndërtuar dhe rindërtuar qartësisht 30 për qind më shumë se në bashkinë e kryeqytetit. Jo se atje ne nuk kemi dhënë fonde. Edhe aty ne kemi financuar ndërtimin e 8 shkollave dhe rindërtimin e 12 të tjerave, por ajo që populli e quan unjti e papërmbajtur apo babëzi e shfrenuar nuk lejon të gjinden troje për shkollat sepse tek shkollat nuk merret dot kati apo dy katet, nuk merret dot 20 për qindëshi. Ndaj dhe ne jemi të vendosur të financojmë në Vorë dhe në mbarë Shqipërinë çdo projekt që ndryshon për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë. Nën moton e plotësimit të interesave tuaja, ne kemi investuar në Vorë 1.6 miliardë lekë”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi se mazhoranca ecën drejt një mandati të dytë, pasi “Shqipërinë e shkëputur nga Evropa e anëtarësuam në NATO, pasi ne Shqipërinë, të cilën muret e korrupsionit dhe të krimit e kishin ndarë nga vendet e Bashkimit Evropian, ia dolëm që të ratifikojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që në Parlamentet e tyre të 27 vendet e BE-së të votojnë për Shqipërinë dhe në 28 prill të paraqesim kërkesën për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”.
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha dje në Vorë mori pjesë në inaugurimin e kopshtit të fëmijëve, ndërtim me vlerë 45 milionë lekë, si dhe inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare Vorë, me vlerë 45 milionë lekë. Fillimisht, kryeministri Berisha u ndal dhe vizitoi mjediset e kopshtit të fëmijëve dhe shprehu kënaqësinë që ndërtimi i tij ofronte mjedise bashkëkohore.
Më tej, kryeministri Berisha u ndal në shkollën 9-vjeçare të Vorës dhe vizitoi mjediset e brendshme të saj. Duke u përshëndetur me mësuar dhe nxënës, kreu i qeverisë Berisha shprehu kënaqësinë që shkolla ofronte mjedise bashkëkohore të mësimdhënies, e pajisur me laboratorë mësimorë, me kabinet informatike dhe terrene sportive.
Kryeministri tha se qeveria ia doli të shndërrojë në realitet zotimin e saj për të shtrirë internetin në çdo shkollë, një projekt ky që ka transformuar shkollat dhe mësimdhënien në to.
“Në këtë shkollë sot ka dy kabinete informatike. Këtë javë edhe në 500 shkolla të tjera është instaluar interneti dhe gjatë 2-3 javëve nxënësit e të 2000 shkollave të Shqipërisë do të lundrojnë në internet. Ne kështu finalizojmë një projekt të madh, një projekt që transformon shkollën tonë, mësimdhënien dhe i shërben në mënyrë të jashtëzakonshme si informimit të nxënësve, ashtu edhe projektimit nga ana e tyre të temave për të cilat kanë më shumë interes”, u shpreh kryeministri Berisha.

Berisha viziton në Vorë familjen e Reshit Krujës, i cili humbi jetën tragjikisht në Gërdec
 
Drejtësia që familjarët kërkojnë, do të vihet në vend

Gjatë vizitës së tij në Vorë, kryeministri Sali Berisha vizitoi familjen e Reshit Krujës, i cili humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit. Në këtë vizitë Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryetari i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili dhe nga deputeti i zonës për PD, zoti Astrit Patozi.
Zonja e shtëpisë, bashkëshortja e të ndjerit, i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha duke e falënderuar për kujdesin dhe mbështetjen në momentet e vështira të familjes së tyre. Kryeministri siguroi pjesëtarët e familjes Kruja për përpjekjet e tij maksimale në mbështetje të interesave të tyre, duke shprehur angazhimin se qeveria në bashkëpunim me pushtetin lokal do të jetë gjithnjë pranë tyre.
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se drejtësia që familjarët kërkojnë, duhet dhe do të vihet patjetër në vend dhe për këtë qeveria ka dhënë dhe po jep të gjithë mbështetjen e saj. Bashkëshortja e të ndjerit Reshit Kruja kërkoi një ndihmë të menjëhershme për vajzat e saj, të cilat ndiqnin universitetin, një kompjuter në shtëpinë e saj, i cili ju premtua menjëherë nga Kryeministri Berisha dhe Deputeti Patozi, i cili shprehu gatishmërinë që një kompjuter do t’i shkonte kësaj familjeje menjëherë në ditët e ardhshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›