Eliot Engëll në sallën e parlamentit shqiptar: Ju lutem vazhdoni ta orientoni Shqipërinë në këtë rrugë
Kongresmeni i Nju-Jorkut, i njohur si mik i madh i shqiptarëve, gjatë përshëndetjes që bëri dje në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, e vuri theksin tek miqësia shqiptaro-amerikane, por edhe tek domosdoshmëria që lidershipi të mos i ndërpriste reformat, pasi ato janë rruga e duhur për integrimin në BE
TIRANE - I njohur si një politikan që ka lobuar në Kongresin Amerikan për çështjen shqiptare, Kongresmeni amerikan Eliot Engel, e konsideroi privilegj që për herë të parë i drejtohej parlamentit shqiptar. Duke vënë në dukje përpjekjet e tij, pas viteve ‘90, për të krijuar lidhje dhe afruar Shqipërinë me SHBA-në ai kujtoi se “në vizitat e mia të para kam qenë dëshmitar i ndjenjës dashamirëse që shqiptarët kishin ndaj SHBA-së”. “Shqipëria është vendi më pro amerikan në Evropë dhe ndoshta në të gjithë planetin. Miqtë më të mirë që Amerika ka në botë janë miqtë shqiptarë”, u shpreh Kongresmeni Engel.
Pasi vuri në dukje ndryshimet që Shqipëria ka pësuar gjatë viteve të fundit, Kongresmeni amerikan foli për mbresat e tij nga vizita në autostradën Durrës-Kukës, një rrugë që, siç u shpreh ai, “do ta sjellë më pranë rajonin duke e bërë Shqipërinë një lider ekonomik në Ballkan”.
Duke shprehur urimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ai vlerësoi se “vendi juaj po tregon pjekuri në rritje me dëshirën për të mbajtur peshën si anëtar i Aleancës”. Më pas, ai u ndal tek suksesi i reformave shqiptare, duke përmendur luftën kundër korrupsionit. “Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër trafikimit të drogës dhe krimit; ka bërë hapa të mëdhenj përpara në drejtim të vendosjes së një rendi më të fortë publik. Ju lutem vazhdoni ta orientoni Shqipërinë në këtë rrugë. E di se Shqipëria ka përditësuar dhe përmirësuar kodin ligjor dhe ka ndjekur penalisht disa keqbërës. Shtetet e Bashkuara ju kanë mbështetur në këtë përpjekje tuajën përmes grantit fillestar në Millenium Challenge Corporation. Megjithatë, ndërsa ka pasur mjaft përmirësim teknik, ju duhet të vazhdoni përpjekjet tuaja të guximshme pë të zhdukur krejtësisht ndikimin e korrupsionit”, theksoi ai.
Kongresmeni Engel, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar i Nënkomitetit për Evropën, gjatë fjalës përshëndetëse që mbajti të hënën pasdite në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi se zgjedhjet e 28 qershorit janë hapi i radhës drejt Evropës dhe SHBA-së. Kongresmeni Engel e cilësoi procesin zgjedhor si shumë të rëndësishëm dhe siç sugjeroi ai votuesit duhen inkurajuar që të shkojnë në votime.
“Qytetarët duhet të shkojnë në votime. Votuesit duhen inkurajuar që të aplikojnë për karta identiteti, që çdokush që dëshiron të marrë një dokument të tillë ta bëjë atë para zgjedhjeve, tha zyrtari amerikan, duke theksuar se, zgjedhjet janë mundësia e parë që Shqipëria ta tregojë veten si anëtare e re e NATO-s”.
Këto zgjedhje, vijoi ai, janë një përgjegjësi dhe Shqipëria duhet të tregojë se ky proces është hapi i radhës drejt Evropës dhe SHBA-së.
Kongresmeni Engel ka nisur pak ditë më parë një vizitë në Shqipëri, gjatë së cilës është njohur me ecurinë e punimeve në rrugën Durrës-Kukës, me qytetin e Shkodrës, etj, si dhe ka zhvilluar takime me autoritete të larta të shtetit.