Manipuluan zgjedhjet e 8 Majit, 3 mln Lekë gjobë për gjashtë komisionerë
Elbasan- Gjashtë komisionerët të cilët u shpallën fajtorë për manipulimin e zgjedhjeve lokale janë dënuar nga Gjykata e Elbasanit me 3 milionë lekë gjobë.
Në seancën e zhvilluar paraditen e sotme, gjykatësja Pajtime Fetahu, pas kërkesës së prokurorit Binas Nina për shpalljen fajtor të tyre ka vendosur të linte në fuqi kërkesën e organit të akuzës dhe dënimin me gjobë 3 milionë lekë në total të gjashtë shtetasve që ishin komisionerë në komunën e Rrasës gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.
Gjashtë komisionerë të zgjedhjeve lokale të 8 majit të 2011-ës, të zhvilluara në komunën Rrasë të Elbasanit, janë shpallur fajtorë për akuzën e falsifikimit të dokumenteve si dhe të rezultatit të tyre.
Prokuroria e Elbasanit kishte çuar që në fund korrikut të këtij viti për gjykim 6 komisionerët e komunës Rrasë të Elbasanit, Fatmir Meta, Nazmi Hidri, Zyber Troka, Ilir Ferhati, Alban Hidri, Petrit Xhelili, të cilët akuzohen për “trafikim” të votave të dy partive të mëdha PD-PS, me qëllim për të favorizuar partitë e vogla.
Në 8 maj të vitit 2011 në Komunën Rrasë të Elbasanit janë mbajtur zgjedhjet vendore ku është zgjedhur këshilli i komunës dhe kryetari i ri.
/IDEA/