Manja: Do ndërtojmë një godinë dinjitoze për Gjykatën Kushtetuese, zyrat aktuale do t’i kalojë Kuvendit

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, projektbuxhetin për vitin 2026 për Kushtetuesen.
Buxheti total për Gjykatën Kushtetuese është parashikuar rreth 257,3 milionë lekë, të ndara në 205,8 milionë lekë për paga, 45,5 milionë lekë për mallra e shpenzime, 1 milion lekë transferta dhe 5 milionë lekë për blerje pajisjesh informatike dhe zyra.
Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës theksuan nevojën për një godinë të re për Gjykatën Kushtetuese.
“Mendoj se duhet të kërkoni 25% të këtij buxhetit që keni pasur gjatë këtyre viteve. Gjykata Kushtetuese, është e pastrehë, jeton në një aneks të Kuvendit të Shqipërisë. Do t’ju nxisja në nevojat që keni të mos kushtëzoheni nga mosbashkëpunimi me Ministrinë e Financave, por të kërkoni fonde në atë nivel që duhet të jetë për Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti i Partisë Demokratike Genti Strazimiri.
Kryetari i Komisionit Ulsi Manja, theksoi se do të ndërtohet një godinë e re për Gjykatën Kushtetuese dhe se zyrat aktuale do t’i kalojnë Kuvendit.
“Ajo godinë shumë shpejt do t’i kalojë Kuvendit, në projekte afatmesme, Gjykata Kushtetuese do të ketë një godinë të veten dinjitoze. Deri atëherë ne do të duhet të duhet të akomodojmë ato kërkesa që janë të domosdoshme”, tha Manja.
/m.q/a.f/