Manja: Hapim ekspozitë me punimet e të dënuarve

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë një interviste për mediet, foli për rehabilitimin e të dënuarve, pasi kanë kryer vuajtjen e dënimit.
Manja tha se, qëllimi është që kur të dalin nga burgu, pasi kanë vuajtur dënimin, ata të jenë persona që shoqëria do të duhet ti pranojë në gjirin e vet.
“Ne kujdesemi t’u japim zanate. Kuadri ligjor është i plotë, qoftë për punësim në sektorin publik, por dhe punësim kundrejt pagesës në sektorin privat. Kemi bërë përpjekje të shumta, kemi numër të konsiderueshëm të dënuarisht që punojnë në institiconet tona, ashtu siç po bëjmë përpjekje që të jenë dhe sipërmarrjet private, që duke bashkëpunuar me ne, të punësojnë të dënuarit”, tha Manja.
Ministri vuri në dukje se, ka një numër të konsiderueshëm të dënuarisht që janë artistë, kanë zanate, pikturojnë.
“Bëjnë punë me dru dhe ne ua kemi krijuar mundësinë. Madje në planet tona është dhe hapja e një ekspozite me punimet më të mira që kemi nga instituconet tona të vuajtjes së dënimit, të bëra nga dënuarit. Kjo, që shoqëria të njohë dhe talentin e kësaj pjese të shoqërisë. Funksionojnë kurset. Sidomos burgu i të miturve në Kavajë, ku të dënuarit ndjekin të gjitha programet e edukimit dhe formimit, përfshirë dhe arsimin profesional”, u shpreh ministri.
Po ashtu, vijoi ai, dhe në institucionin ku vuajnë dënimin gratë, “kemi trajnime për qëndisje, kuzhinë, parukeri, pra përpiqemi që brenda atyre mundësive që kemi si institucion, që të bëjmë gjithçka për punësimin dhe formimin profesional të të dënuarve”.
Manja tha se, “ka marrëveshje bashkëpunimi dhe me shkollat e mesme profesionale afër institucionet tona. Kemi marrëveshje me ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me ministrin e Arsimit etj.”.
Por, apeloi ministri, “nuk mund ta bëjmë dot të gjithë vetëm këtë, duhet bashkëpunimi i të gjithë shoqërisë, për integrimin e dënuarve në jetën shoqërore”.
/r.e//a.f/