"Manon Lescaut", shfaqje akull
Koncept i zbehtë regjisorial, ekzekutim "egoist" dhe interpretim i ngathët i solistëve. Pa emocion premiera absolute e operës së Puçinit.
Në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit u shfaq në dy net, 14 dhe 16 shkurt, opera e Puçinit "Manon Lescaut" (1889-1892), me regji të Nikolin Gurakuqit. Vepra i takon fillimeve të krijimtarisë së Puçinit dhe është e bazuar në romanin e Antuan Prevosë (Antoine Prévost), "Historia e kalorësit De Grijë dhe e Manon Leskosë" (1731).
Një histori dashurie që lind mes studentit të ri Renato De Grijë dhe vajzës së hijshme Manon Lesko në Parisin e '800-ës. E destinuar të kalojë disa pengesa. Manonin e tërheq luksi, bizhutë, rehatia e një jete pa mundime, që e gjen tek bankieri i kamur, mesoburrë, Zheron de Ravuar. I duhet të vendosë: mes jetës plot shkëlqim e të sigurt nga jashtë dhe asaj që ndien për De Grijën.
Në dy shfaqjet e para, interpretuan: sopranoja Etleva Golemi (Manon), tenori italian Lorenzo Decaro (kavalieri De Grijë), baritoni Armando Likaj (Lesko), baritoni Sidrit Bejleri (Zheron de Ravuar) dhe Edmondo (Erlind Zeraliu).
Historia zë fill në një Shesh të Gjerë pranë Portës së Parisit, ku studentë borgjezë të dehur, bëjnë shaka për dashurinë dhe rininë.
Në mes tyre është edhe Leskoja, indiferent ndaj bisedave dhe dashurisë.
Regjisori Nikolin Gurakuqi, nuk kishte preferuar ta hapte shfaqjen me pije dhe studentë të dehur. Shikuesi u ndesh me një grup djemsh dhe vajzash (kori) që vallëzonin me çadra në duar, të maskuar, në një skenë që rrethohej nga tri dyer. Kënga e tyre nuk ndiqte në harmoni muzikën dhe fjalët nuk mbanin temporitmin.
Studenti De Grijë (Lorenzo Decaro), i veshur me kostum bojëkafe, dukej i lënë pas dore nga grimi dhe kostumografia (kostumet vijnë nga Sartoria "Arrigo" Milano). Rezultati i punës së të dyjave nuk fliste për realizim të figurës së një studenti të ri. U vunë re edhe probleme me vokalin. Natën e premierës vokali i tenorit mbytej nga muzika dhe mezi dëgjohej teksti.
Në mes të kësaj "gjullurdie" të studentëve, mbërrin Manoni, e shoqëruar nga i vëllai Leskoja, "një vajzë e destinuar për jetën e Manastirit". De Grijë, sapo e sheh, joshet menjëherë nga ajo. Pret çastin të mbeten vetëm dhe t'i lërë një takim.
Natën e parë që interpretuan së bashku, Golemi-Decaro dukeshin dy solistë të pushtuar nga ankthi i ekzekutimit mirë në një premierë absolute dhe nuk mund ta komentosh si një interpretim të mirë dhe pasionant. Dukej një moment i sforcuar dashurie mes tyre, lëvizje të ngathëta dhe portrete të ngrira të fshehura pas grimit.
Lëvizjet e mimikës së Decaros ishin të papërkthyeshme, si një maskë që nuk e lejonte të ishte i natyrshëm.
Qysh në fillim, partnerët nuk e prezantuan siç duhej njëri-tjetrin, atë që i bashkonte, dhe e lanë atje tej, të akullt, spektatorin në stolat e Teatrit të Operës dhe Baletit që shpresonte në ngrohjen dhe rritjen graduale të dramës së dy të rinjve.
Natën e dytë, më 16 shkurt, Golemi dukej më e sigurt por jo më çliruar. E kapur nga një ndjenjë "egoiste" interpretimi ajo nuk arrti të hynte në komunikim me partnerin Decaro. Ata shkonin në kahe të ndryshëm, kur duhej të afroheshin drejt njëjtësimit të gjuhës së lëvizjeve, shprehive lirike dhe dramatike. Në duete, teksa vokali i Golemit përpiqej të arrinte lart, ai i tenorit humbiste, zbehej, vinte i dobët.
Gjatë 2 orëve, shikuesi pa një De Grijë që edhe pse përpiqet të tregohej i rrëmbyer, i marrosur pas dashurisë, dukej fals, aq më tepër që nuk partnerja Golemi nuk i përgjigjej as entuziazmit të fillimit dhe as situatave që degjenerojnë në tragjedi.
Skenat e puthjeve ishin më flagrantet. Kur vinte momenti për dashnorët sopranoja fshihej për partnerit të saj trupmadh i cili i kthente shpinën krejt publikut. Kjo u përsërit në të gjitha herët dhe u kuptua që nuk ishte "zgjedhje regjisoriale".
Akti i dytë hapet me Manonin e lumtur, në një shtëpi luksoze, me mure të veshura me pasqyra. Në pamje ballore shihet një orë e madhe, e thyer dhe e ciflosur.
Skenografia e Genc Shkodranit tenton të reflektojë fytyrën e vërtetë të personazhit kryesor. Manoni nuk rend pas studentit dhe jetës së thjeshtë që ai mund t'i ofrojë. Mes luksit dhe e rrethuar nga shërbëtorët në shtëpinë e Zheronit, ajo ndihet e lumtur. Në këtë skenë, aktivizohet i gjithë kori dhe figurantët.
Monotonia e shfaqjes u mund pak nga kjo skenë ku tre violina dhe një violonçel sjellin gaz në shtëpinë e Zheronit. Kurse vallëzimi i Golemit para të ftuarve, dukej amator dhe i ngathët për një natyrë të mësuar me botën dhe në marrëdhënie me njerëzit si Manoni.
Interpretimi aktorial i solistëve dukej jashtë vëmendjes së regjisorit Gurakuqi. Duket kjo edhe në bisedën që bëjnë Manoni dhe De Grijë para se të arratisen nga shtëpia e Zheronit, pasi ka mbaruar festa. Në këtë skenë, Zheroni (në rol Sidrit Bejleri) la përshtypjen e burrit krenar, që hakmerret me ftohtësi, në çastin kur merr vesh që gruaja e tij po arratiset me një tjetër.
Lajmëron policinë dhe e akuzon gruan për vjedhje dhe tradhti, kur në fakt ky burrë duhet të shfaqej i marrosur nga padrejtësia që i kanë bërë.
Akti i fundit zhvillohet në burg. Manoni është e mbyllur bashkë me një grup kurtizanesh. Të nesërmen do të niset për në Amerikë.
Dy roje bëjnë ecekaje brenda një skeleti të zi që duhet të jetë burgu. Manoni nuk kuvendon me kurtizanet, madje ato nuk kanë të bëjnë fare me të. Një skenë e realizuar pa ndonjë kuptim.
Kurtizanet janë aty për të ekspozuar trupin, janë amatore në ngacmimet dhe joshjet me rojet dhe sillen rrotull në një paradë për publikun.
Papritur aty mbërrin De Grijëja që i përgjërohet komandantit ta lejojë të shkojë bashkë me Manonin në Amerikë, ku i prin edhe fati i keq.
Opera e Puçinit mbyllet me skenën e dy personazheve në shkretëtirën e Nju Orlinsit. Dashuri dhe dhimbje, ndjenja me të cilat solistët u treguan kopracë.
Veç muzikës së trishtë të Puçinit, gjithçka tjetër ngjau në akull. Në skenë është ora e copëtuar në pesë pjesë, dy dyert e fillimit, dhe qielli blu. Kjo është shkretëtira me dunat ku gjen vdekjen Manoni shqiptar. Lorenzo Decaro përpiqet të sjellë një De Grijë edhe më të dashuruar se në fillim, të mbytur nga dhimbja, por nuk ia del.
Një Manon me flokë të shpupuritur, që më tepër shprehte lodhje, sesa hidhërim. Ky është dueti i fundit pa emocion, pa dhimbje, pa trishtim megjithëse në libret është shkruar një fund tragjik.
Aty thuhet se "Manoni vdes në krahët e tij, duke i buzëqeshur për herë të fundit e dashuruar". Manoni i 16 shkurtit, nuk i buzëqeshi për herë të fundit të dashurit të saj, përkundrazi sopranoja Golemi gati shtynte me refuzim krahët e Lorenzo Decaro-s.
Libreti nisi të shkruhej fillimisht nga kompozitori Ruggero Leon Cavallo. Më pas u zhvillua nga Marco Praga dhe Domenico Oliva dhe u përfundua nga Luigi Illica. Për këtë operë Puçini është shprehur: "Do ta ndjej si një pasion të dëshpëruar". Por nuk është rasti për premierën e Tiranës që do të vazhdojë sonte dhe më 20 shkurt.