Titulli "Doktor", me tre artikuj shkencorë

Të gjithë ata shkencëtarë që kanë publikuar të paktën tre artikuj në revista të huaja marrin titullin "DR"
Ky është vendimi më i fundit i marrë nga qeveria, gjatë mbledhjes së djeshme. Nuk është më e nevojshme që të mbrosh një punim diplome për të marrë titullin doktor, mjafton që puna shkencore e kandidatit të jetë publikuar në periodikë shkencorë të huaj.
Sipas vendimit të qeverisë, kandidatët që kanë diplomë universitare të nivelit të dytë (DND) ose diplomë universitare të integruar të nivelit të dytë (DIND) dhe kanë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë, në revista të huaja, me faktor impakti mbi 1.0, kanë të drejtë t'i paraqesin dekanit të fakultetit dhe rektorit të institucionit të arsimit të lartë, që ofron studime të doktoratës, një kërkesë për mbrojtjen e doktoratës, mbi bazën e artikujve shkencorë të botuar.
Kjo kërkesë duhet të jetë e shoqëruar nga dy rekomandime nga profesorë, të vendit ose të huaj, që vlerësojnë se vëllimi dhe cilësia e punimeve shkencore të përfunduara me botimet e sipërpërmendura, plotësojnë kushtet për kërkimin e gradës shkencore "Doktor" dhe i propozojnë këshillit të profesorëve e dekanit ngritjen e jurisë për provimin e doktoratës.
Për promovimin e doktoratës ngrihet një juri, e cila vlerëson punën e kandidatit dhe më pas jep titullin shkencor.