E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni digjet flamuri shqiptar

Skandali në Shkup, në ndeshjen e basketbollit Rabotniçki-KB Liria

Sporti shndërrohet sërish në arenën e preferuar për të sulmuar kombin shqiptar. Skandali i radhës, që ka pasur përsëri në shënjestër simbolet e vendit tonë, ka ndodhur në Shkup, ku fansat maqedonas kanë hedhur parulla antishqiptare, ndërsa më pas kanë djegur flamurin me shqiponjën dykrerëshe. “Shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë” apo “shqiptarët në dhoma gazi” ishin brohoritjet e pseudo-tifozëve maqedonas, gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Rabotniçkit dhe KB Lirisë. Lajmi për atë që ndodhi në Pallatin e Sporteve në kryeqytetin maqedonas është raportuar nga agjencia e lajmeve INA. Pas këtyre thirrjeve erdhi edhe djegia e flamurit. Pavarësisht incidentit të rëndë, asnjë prej autoriteteve sportive që ishin prezentë në Pallatin e Sporteve, ashtu si edhe forcat e rendit, nuk reaguan në lidhje me këtë sulm të hapur ndaj simboleve tona kombëtare dhe shqiptarëve, që sipas regjistrimit të vitit 2002 (regjistrimi i ri pritet të bëhet në vitin 2011) përbën 25.1 për qind të popullsisë në këtë vend. Të vetmit që reaguan rreth episodit të shëmtuar ishin drejtuesit dhe sportistët e klubit të basketbollit Liria, të cilët deklaruan për INA-n se ajo që duhej të ishte një ndeshje sportive, u shndërrua në dhunë psikologjike dhe terrori. “Ajo që tifozët maqedonas synonin dha frytet e veta, duke qenë se KB Liria dhe lojtarët e saj ishin tepër të shpërqendruar për të zvogëluar diferencën e pikëve në lojë”, pohuan ata.

Kjo ngjarje e rëndë në Maqedoni ka ardhur vetëm dy muaj pas episodeve të muajit tetor, në ndeshjet e futbollit, që kishin si protagonistë huliganët serbë në ndeshjen kualifikuese të Euro 2012 ndërmjet Italisë dhe Serbisë në Xhenova dhe pak ditë më pas tifozët rusë në Shën Pjetërburg, në ndeshjen e vlefshme për Europa League ndërmjet Zenit St. Petersburg dhe Hajdukut të Splitit. Madje, në ndeshjen e vlefshme për kupat e Europës, në fushën e lojës ndodhej edhe mesfushori kuqezi Ervin Bulku.

Pas djegies së flamurit shqiptar në Maqedoni kanë ardhur edhe reagimet e para. Lëvizja Qytetare “Zgjohu!” i ka dënuar ashpër aktet vandale të tifozëve maqedonas në Shkup, ku djegia e flamurit dhe thirrjet raciste kundër popullit shqiptar janë bërë nga huliganët e vetëquajtur “City Park Boys” (Djemtë e Parkut të Qytetit). Ajo i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të marrë masa të menjëhershme kundër huliganëve që synojnë të nxisin urrejtjen ndëretnike, ndërsa pret që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë, në mënyrë që gjestet shtazarake të mos kalojnë pa u ndëshkuar. Nuk ka munguar as kërkesa për klubin e basketbollit të Rabotniçkit, që të dënojë këtë incident dhe të distancohet nga protagonistët e asaj që ndodhi. Reagim të njëjtë ka pasur edhe nga Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Europiane (OBRIE) në Maqedoni, e cila ka shprehur shqetësime lidhur me shprehjen e gjuhës së urrejtjes dhe racizmin e tifozëve maqedonas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›