Zhdukja e Bleona Mates babai akuzon nenen si te perfshire
Shtatë muaj pas zhdukjes misterioze të vogëlushes Bleona Mata nga Zapodi i Kukësit, prindërit e saj nisin procedurat e divorcit. Dje ka qenë seanca e parë e shkurorëzimit mes Zamirit dhe Bukuries, me kërkesë të kësaj të fundit.
ProblemetNdërkohë mes çifti Mata kanë nisur akuzat e ndërsjella për zhdukjen e vajzës së tyre 7 vjeçe. Nga muaji maj i këtij viti, kur Bleona e vogël u zhduk pa lënë gjurmë, mes çiftit Mata janë shfaqur në sipërfaqe divergjencat që ndoshta gëlonin prej kohësh. Mosmarrëveshjet mes tyre asnjëherë nuk janë trajtuar seriozisht nga policia dhe hetuesit, të paktën siç është thënë, si një pistë nga ku mund të hetohej për humbjen e Bleonës, pasi janë konsideruar si një çështje e brendshme familjare. Prononcimet e familjarëve, përfshi gjyshin e Bleonës, Zenel Mata, kanë ngarkuar me përgjegjësi, ndonëse jo në mënyrë direkte, edhe pjesëtarët e familjes, të rrethit të ngushtë ku përfshihen që të gjithë, edhe halla, edhe prindërit. Por kësaj here janë vetë prindërit që lëshojnë akuza për njëri-tjetrin lidhur me humbjen e vajzës.
GjykataBurime të Gjykatës së Kukësit kanë sqaruar se ndarja kërkohet nga e nëna e Bleonës, Bukuria, e cila akuzon bashkëshortin, se nuk ka treguar interesim ndaj Bleonës dhe ndaj familjes. Sipas saj, Zamiri prej disa muajsh nuk kishte shkuar në shtëpi duke jetuar në Tiranë te të afërm dhe nuk ka bërë sa duhet për të gjetur vajzën e tyre. Ndërkohë avokatja e saj sqaron se Bukuria ka kërkuar kujdestarinë e të dy fëmijëve, Armendit, 5 vjeç, dhe Bleonës, 7 vjeçe, nëse kjo e fundit do të gjendet. Ndërkaq, edhe vetë Bukuria prej disa kohësh ka qëndruar te njerëzit e babait të saj në rrethinat e Tiranës. Ajo akuzon bashkëshortin se i ka marrë djalin 5-vjeçar, duke e ndarë prej saj pa të drejtë.
AkuzatNdërkaq, babai i Bleonës, Zamiri, akuzon të shoqen si të përfshirë direkt në humbjen e Bleonës. “Ka përgjegjësi kryesore dhe mendoj se është përfshirë direkt në humbjen e vajzës sonë” mësohet të ketë thënë Zamiri për bashkëshorten. Ai pohon se dyshimet për përfshirjen e së ëmës në humbjen e mistershme të Bleonës kanë nisur që para disa muajsh, sidomos pas njohjes me disa tabulate telefonatash që e shoqja kishte bërë më disa numra të panjohur. “Më kanë treguar prokurorët disa tabulatë telefonatash të bisedave që ka bërë Bukuria me disa persona, një prej të cilave ka zgjatur 6 orë”, thotë Zamiri duke iu referuar bashkëpunimit dhe të dhënave nga prokuroria për çështjen “Bleona”.
“Nuk justifikohen bisedime kaq të gjata prej gjashtë orësh, përveçse në rastet kur kjo ka një të dashur dhe që mund të jetë edhe rrëmbyesi i Bleonës”, akuzon Zamiri, duke iu referuar tabulateve të telefonatave, që janë bërë nga Bukuria pas humbjes së Bleonës. Vetë Bukuria e ka hedhur poshtë akuzën se është e përfshirë në humbjen e vajzës, duke iu përgjigjur Zamirit se vetë ai si baba, nuk ka qenë në Shqipëri kur Bleona ka humbur.