Maqedoni e Veriut/ Ministria e Arsimit paditet se nuk pajisi të gjithë nxënësit me libra

Mospajisja me libra e të gjithë nxënësve të arsimit fillor në Maqedoninë e Veriut është bërë shkak për ngritjen e një padie ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Padia u njoftua nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD), me justifikimin për mbrojtje nga diskriminimi me interes publik.
“MASH shkel të drejtën e qasjes së njëjtë në arsim cilësor ndaj një grupi të madh nxënësish të arsimit fillor, duke mos i furnizuar me libra për çdo lëndë dhe në të gjitha gjuhët në të cilën mbahet mësimi në arsimin e obliguar nëntëvjeçar,” theksoi KPMD-ja.
Sipas Vesna Bendevskës, anëtare e KPMD-së, nga 126 libra të nevojshëm për lëndët e detyrueshme dhe me zgjedhje në arsimin fillor, në fillim të vitit shkollor 2023–24 Ministria maqedonase e Arsimit nuk ka siguruar 43 apo rreth një të tretën e librave.
Në reagimin e saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka thënë se përgatitja e teksteve shkollore është proces i ndërlikuar i cili varet nga disa faktorë.
“Në pajtueshmëri me aktet ligjore dhe nënligjore, ne kemi filluar me kohë aktivitetet në kompetencën tonë për përgatitjen e teksteve shkollore, të harmonizuar me programin mësimor. Ministria nuk ka mekanizma ligjorë për të ndikuar në ekipet e autorëve dhe të recensuesve për tekstet e reja shkollore të një lënde të caktuar. Ndërkohë, ndodh që të nevojiten korrigjime të domosdoshme në tekstet shkollore të propozuara, gjë që sjell edhe zgjatjen e procesit,” thuhet në reagimin e MASH-it.
/rtsh.al/