Maqedoni, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme
Lideri i kësaj partie, Branko Cërvenkovski po vijon përgaditjet e bazës partiake, duke zhvilluar komunikimin edhe me partinë shqiptare në pushtet BDI, e cila do të jetë vendimtare rreth vendimit për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve.
Burime pranë BDI-së kanë theksuar për agjencinë e lajmeve INA se projektet e tilla janë vetëm pjesë e debatit brenda partiak, derisa nuk planifikojnë largimin nga Qeveria.
“është herët për të theksuar se çfarë do të ndërmarrim në nëntor. Ne mendojmë se në rast se brenda një periudhe të shkurtër do të mbahen zgjedhjet atëherë sërish do të fitojë VMRO-DPMNE. Nuk duhet të humbim kohë dhe të krijojmë krizë politike”, ka theksuar zyrtari i lartë i BDI-së.
Idenë për zgjedhjet e parakohshme e kanë mbështetur PDSH, DR dhe partitë e tjera opozitare maqedonase. Liderët e këtyre partive në takimin me liderin e LSDM-së kanë shprehur gatishmëri për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski kohë më parë deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se Qeveria do të vijojë realizimin e projekteve të saj.
Qeveria aktuale e përbërë nga VMRO-DPMNE, BDI dhe partitë e pakicave numëron 81 deputetë, nga 120 vende në Parlamentin e Maqedonisë.