E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, sot pritet takimi Gruevski-Cërvenkovski

Kryeministri, Nikolla Gruevski dhe kryetari i LSDM, Branko Cërvenkovski pasditen e së martës pritet të nisin bisedimet si pjesë e dialogut politik për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. Në këtë takim të inicuar nga kryeministri Gruevski nuk janë ftuar partitë politike shqiptare për të qenë pjesë e dialogut politik, për shkak se dy partitë opozitare shqiptare PDSH dhe DR po bojkotojnë Parlamentin. Plotësimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike, zhbllokimi i llogarive bankare të televizionit A1 si dhe ndarja proporcionale e mjeteve qeveritare për reklamim për mediat e vendit janë kërkesat e LSDM-së. Lideri i LSDM-së deklaroi se në rast se Qeveria nuk plotëson kushtet për zgjedhje demokratike, atëherë sipas tij, opozita do ti bojkotojë zgjedhjet. Kryetari i DR-së, Imer Selmani gjithashtu ka komentuar takimin e paralajmëruar midis Gruevskit dhe Cërvenkovskit dhe mungesën e ftesës për partitë shqiptare, duke thënë se është e pakuptueshme që partitë politike shqiptare të mos ulen e të mos bisedojnë për procesin zgjedhor ashtu siç i takon një shoqërie në një frymë demokratike, një procesi demokratik dhe të lirë. Sipas tij i takon kryetarit të BDI-së si parti në pushtet, të caktojë kohën dhe formën për tu ulur dhe për të hartuar një kod zgjedhor të besueshëm para së gjithash për votuesit shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi deklaroi se fakti që kryeministri Gruevski ka dërguar ftesë vetëm për kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, nuk është anashkalim i shqiptarëve, por anashkalim i PDSH-së, për shkak se, siç bëri të ditur ai, kryeministri është i vetëdijshëm për kërkesat kombëtare të kësaj partie.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›