Maqedoni, takimi i liderëve pa marrëveshje

Partitë më të mëdha politike në takimin e liderëve me presidentin Gjorgje Ivanov nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e krizës politike. Në bisedimet që u zhvilluan më shumë se gjashtë orë midis liderëve të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe DR-së nuk janë tejkaluar dallimet për çështje të rëndësishme për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Presidenti Ivanov sërish ka thirrur një takim të radhës me një përbërje të njëjtë, takim që pritet të zhvillohet gjatë orëve në vijim. Sipas burimeve partiake, njëra kërkesat e Demokracisë së Re për ridefinimin e kufinjve të njësisë zgjedhore numër 6 në Maqedoninë Perëndimore, është pranuar nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, por jo edhe nga BDI, e cila ka theksuar se kjo çështje duhet të jetë pjesë e ndryshimeve pas zgjedhjeve. Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se janë fokusuar në katër kërkesat e LSDM-së, dy prej të cilave janë pranuar në rast se kjo parti sipas tij, pranon të hyjë në zgjedhje. Kryeministri Gruevski theksoi se nga ana e liderit të LSDM-së, Branko Cërvenkovski sërish nuk ka kushte për marrëveshje. Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski deklaroi se edhe pse është bërë përparim i caktuar, por në rast se nuk pranohen kërkesat e tyre, ata nuk do të kthehen në Parlament dhe mbeten me mundësinë e hapur për të bojkotuar zgjedhjet eventuale të parakohshme. Ai theksoi se është arritur marrëveshje me këshillat zgjedhore, por pranoi se ka hequr dorë nga kërkesa për kuotat e garantuara për pakicat në Parlament. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti vlerësoi se ky takim ka qenë produktiv dhe konstruktiv dhe përafrim të qëndrimeve të të gjitha palëve. Ndërsa Lideri i DR-së, Imer Selmani ka theksuar se kërkesat që janë prezantuar janë për hartimin e një ligji të mirë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Lideri i DR-së, Imer Selmani është paraqitur me dhjetë kërkesa, ndër të cilat janë të njohura deri tani si pjesë e platformës së saj politike, por është shprehur edhe kërkesa e zgjedhjeve me lista të hapura dhe zvogëlimin e njësive zgjedhore