Maqedoni, Menduh Thaçi rizgjidhet në krye PDSH-së
Menduh Thaçi është rizgjedhur në krye të PDSH-së, në Kongresin e pestë që u mbajt të dielën në Tetovë. Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni zhvilloi Kongresin e saj të pestë ku u zgjodh kryetari dhe organet tjera drejtuese të partisë. Kongresi mblodhi delegatët nga degët dhe nëndegët dhe forumet e kësaj partie opozitare shqiptare. Së bashku me Menduh Thaçin, kandidat për kryetar partie ishte edhe Arif-hikmet Xhemailit, ish-ministër i Kulturës. Thaci rifitoi kështu një mandat tjetër katërvjeçar në krye të kësaj force politike. Xhemaili, ish-ministri i Kulturës, siguroi një pakicë votash, mbi 100 vota kundrejt Thaçit që gëzoi besimin e 600 delegatëve me një votim të fshehtë. Gjatë fjalës së tij Thaçi nënvizoi se partia e tij është e gatshme për të hyrë në garën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Partia jonë përgjatë këtyre viteve u sulmua nga të gjitha anët, me shumë vështirësi arrita bashkë me ju që ta ruaj partinë, ta ruaj këtë shtëpi të shqiptarëve sepse ju jeni të bindur, se e kjo është e vetmja shtëpi shqiptare- shtoi thaci. Në Kongresin e kësaj partie nuk ka qenë i pranishëm asnjë nga përfaqësuesit e partive shqiptare dhe maqedonase në Maqedoni. Në këtë kongres u zgjodhën edhe anëtarët e Kryesisë qendrore dhe të Kuvendit qendror, ndërsa me propozim të kryetarit të sapozgjedhur , u votua edhe për sekretarin e përgjithshëm dhe katër nënkryetarët e partisë. Në Kongres ishin si të ftuar një zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe vëzhgues nga ambasadat në Shkup, por asnjë përfaqësues nga partitë e Maqedonisë.