Maqedoni,19 bastisje dhe 40 të ndaluar

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë nëpërmjet një komunikate ka njoftuar të enjten se, lidhur me vrasjen e policit Afrim Arifi (39) ka kryer 19 bastisje dhe ka marrë 40 persona në biseda informative. Në komunikatë thuhet se në vendin ku është kryer sulmi janë gjetur 70 gëzhoja të plumbave të automatikut dhe bashkërisht me automobilin "Mazda 323" janë dorëzuar për ekspertizë dhe përpunim të mëtejshëm krim-teknik.
"Në bazë zë informatave të siguruara operative janë kryer 19 bastisje nëpër shtëpi, janë gjetur 3 pistoleta, revolver, pushkë mitraloz, pushkë automatike, pistoletë dhe rreth 650 plumba të kalibrave të ndryshëm. Gjithashtu janë konfiskuar shumë telefona celularë dhe katër vetura", theksohet në njoftimin e policisë. Deri tani 4 veta janë liruar, ndërsa të tjerët janë mbajtur edhe më tej në bisedë informative. Ministria njoftoi se në orët e hershme të mëngjesit, të enjten në rrugën "Prizreni" numër 22 në lagjen Kuçevishkë në afërsi të Karadakut të Shkupit është gjetur vetura nga e cila ishte shtënë ndaj policit të vrarë. Në këtë veturë janë gjetur tabela të falsifikuara të veturës. Persona të armatosur në afërsi të Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup dy ditë më parë vranë pjesëtarin e policisë Afrim Arifi, ndërsa dy policë të tjerë janë plagosur rëndë.