Maqedonia, Fratini: Kontesti i emrit të zgjidhet njëherë e përgjithmonë

Ish-ministri i jashtëm italian, Franko Fratini ka deklaruar se çështja e emrit të Maqedonisë duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, sa më shpejt aq më mirë.
"Shpresoj se problemet e rënda të krizës ekonomike në Greqi do të ndikojnë që ky vend të bëjë një hap para në raport me Maqedoninë, duke bërë që një çështje të largohet nga tryeza e çështjeve të hapura. Kjo do të ishte në të mirë edhe të Evropës", ka deklaruar Fratini.
Ish-ministri italian i cili aktualisht kryen detyrën e deputetit në Parlamentin e Italisë theksoi se do të punojë me kapacitet të plotë për të zhbllokuar procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit. "Mendoj se tani do të ishte momenti i vërtetë për zgjidhjen e kontestit", deklaroi Fratini.