E djathta merr pushtetin në Spanjë

Fitore historike për opozitën e djathtë në Spanjë që e merr pushtetin pas 7 vitesh. Partia Popullore e Mariano Rajoy i ka fituar bindshëm zgjedhjet e së dielës në këtë shtet, duke i mposhtur socialistët e Zapateros.
Në Parlamentin 350 vendesh, PP do të ketë 186 vende kurse PSOE 111 vende. Kryeministri i ri Rajoy ka thënë se kërkon mbështetjen e të gjithëve për të tejkaluar krizën ekonomike si shqetësimi më i madh i popullit spanjoll.
Spanja është në prag të recesionit të dytë brenda dy vitesh. Papunësia është në shifrat e 21 %, më e larta në 15 vitet e fundit. Situatat e fundit ekonomike ka zemëruar qytetarët spanjollë të cilët kanë protestuar ndaj qeverisjes së deritanishme.
Por, pak shpresa për ndryshim qëndrimi në raport me Kosovën. Një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Rajoy kishte thënë se ajo është e kundërligjshme.
“Nëse nuk ka marrëveshje mes palëve dhe nuk ka një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kjo është kundër ligjit ndërkombëtar dhe besoj se Spanja nuk duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë më herët Rajoy. Gjithsesi ai kritikoi ashpër tërheqjen e KFOR-it spanjoll nga Kosova duke thënë se Spanja po tregonte joseriozitet në raport me aleatët.