E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia dhe Greqia, më 21 mars luftë në Hagë



SHKUP - Maqedonia dhe Greqia më 21 mars do të përballen para Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë. Për atëherë është caktuar debati për padinë e Maqedonisë kundër Greqisë, për shkelje të Marrëveshjes së përkohshme bilaterale, me pengimin e pranimit të Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit.
Me këtë, procesi hy në fazën kryesore dhe pritet që aktvendimi të sillet më së shumti për gjashtë muaj apo deri në fund të vitit. Data akoma nuk është caktuar zyrtarisht nga Gjykata, por sipas burimeve greke, bisedimet do të zgjasin dy javë, duke filluar prej 21 marsit, kur të dyja palët do t'i elaborojnë argumentet e veta.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Toni Deskoski, i cili është angazhuar në ekipin juridik para Gjykatës në Hagë, thotë se padia nuk është e lidhur me negociatat për emrin, por nëse aktvendimi do të jetë në dobi të Maqedonisë, do të thotë kapital të madh politik.
"Ne nuk kemi kontest me NATO-n, por kemi kontest me Greqinë dhe objekt debati është sjellja e Greqisë. Por, në aspektin politik, vendimi i këtillë do të ketë ndikim të madh për kthimin e Greqisë në Marrëveshjen e përkohshme", - mendon Deskoski.
Bllokada greke në Bashkimin Evropian do të jetë edhe një argument, krahas vetos në samitin e NATO-s në Bukuresht. "Edhe në pikëpamje të anëtarësimit të mundshëm të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, sërish jemi të përballur me ankesë greke dhe kjo do të jetë pjesë e debatit para gjykatës", shton Deskoski. Një nga qëllimet kryesore për parashtrimin e padisë është të arrihet marrëveshje, thotë profesori i së drejtës ndërkombëtare. "Maqedonia nuk ka për qëllim të marrë aktvendim në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë, për shkak të aktvendimit, por qëllim i saj është anëtarësimi në BE dhe në NATO. Rruga është e hapur, janë të hapura mundësitë dhe kjo do të ishte varianti më i dëshiruar", thotë Deskoski. Maqedonia parashtroi padi kundër Greqisë në Gjykatën në Hagë më 17 nëntor të vitit 2008, me arsyetimin se Athina me bllokadë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO e ka shkelur nenin 11 të Marrëveshjes së përkohshme bilaterale të vitit 1995. Nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë kërkohet që ta urdhërojë Greqinë t'i respektojë obligimet e veta të parapara me Marrëveshjen e përkohshme, e cila është obliguese në mënyrë juridike për të dy vendet.
Athina paralajmëroi se mbrojtjen e vet do ta bazojë në atë se në Samitin në Bukuresht nuk ka pasur veto, por konsensus ndërmjet anëtareve që pranimi i Maqedonisë në Aleancë të shtyhet deri në zgjidhjen e kontestit për emrin. Greqia pohon edhe se ka kontra-argumente me të cilat do të përpiqet të dëshmojë, se Maqedonia ishte pala që e ka shkelur Marrëveshjen e përkohshme. Vendimet që i sjell Gjykata janë përfundimtare dhe juridikisht obliguese, ndërsa për zbatimin dhe respektimin e tyre kompetent është Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Kokaina e Bolivisë, SHBA shqetësohet për Maqedoninë

SHKUP - Ambasada e SHBA-së në Maqedoni me habi ka reaguar ndaj informatës, se Bolivia para dy ditësh ka njohur Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, pasi Shkupi ka tërhequr vërejtjen ndaj iniciativës së këtij shteti latino-amerikan për të legalizuar përtypjen e gjethit të kokës - bimë kjo, nga e cila përfitohet kokaina.
“Na habit ky vendim i Qeverisë së Maqedonisë për të tërhequr vërejtjen e saj ndaj propozimit të amendamentit të Bolivisë. Momenti i marrjes së këtij vendimi shkaktoi spekulime në media dhe më gjerë”, - thuhet në njoftimin e ambasadës amerikanë në Shkup. SHBA-ja është kundër kërkesës se Bolivisë që nga lista unike e Kombeve të Bashkuara për drogat, nga viti 1961, të hiqet dispozita për ndalimin e përtypjes së gjethit të kokës, përdorimi i së cilës ka rrënjë të thella në kulturën e fiseve indogjene në Ande të Amerikës Jugore. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë, ndërkaq, haptas është thënë se ky hap ka qenë që Bolivia të bëhet shteti i 131-të që njeh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Mediat greke i komentojnë këto njohje si përpjekje e Maqedonisë për të paraqitur kërkesë në Kombet e Bashkuara për njohje të saj me emrin e saj kushtetues, e jo me atë që ka hyrë në Kombet e Bashkuara në vitin 1992 - Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM). Vërejtje dhe pakënaqësi SHBA-të shprehën kur edhe Maqedonia mbështeti Rezolutën e Sirisë në Kombet e Bashkuara.

“Lista e Shangait”, vlerësim për universitetet maqedonase

Laura PAPRANIKU

SHKUP - Mbi shtatë milionë denarë do të ndahen nga buxheti i shtetit për të bërë rangimin e universiteteve të Maqedonisë, në bazë të kualiteteve që ata posedojnë. Të premten, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është nënshkruar kontrata për rangimin e universiteteve të Maqedonisë nga Universiteti Xhoatan i Shangait, i cili është shpallur edhe fitues i tenderit përkatës, të cilin paraprakisht e kishte shpallur MASH me qëllim të zgjedhjes së agjencisë ndërkombëtar për vlerësimin e universiteteve tona. Ministri Nikolla Todorov dhe drejtori ekzekutiv i Universitetit Xhoatan, Jing Çenk, të premten firmosën kontratën në vlerën e 6 milionë denarëve, plus 18 % TVSH (Tatimi i Vlerës së Shtuar). Rangimi do të zgjatë një vit, ndërsa radhitja në nivel nacional do të jetë valide edhe për renditjen e tyre në të ashtuquajturën “Lista e Shangait”, ku Xhoatan raporton për performancat e 500 universiteteve nga 1.200 sa ka vlerësuar deri tani.
Todorov e ka quajtur privilegj të madh mundësinë që universitetet e Maqedonisë të jenë pjesë e “Listës së Shangait” dhe tregues të asaj, që ai e quan “fakt se universitete e Maqedonisë u janë afruar standardeve evropiane”. “Megjithatë, esenca e këtij rangimi nuk është që universitetet të gjenden në Listën e Shangait”, tha Todorov.
“Qëllimi është që Universiteti Xhoatan, apo ata që krijojnë listën Shangaj, të bëjnë vlerësimin, respektivisht rangimin e universiteteve dhe të shohim se kush prej tyre ka performanca më të mira dhe kush më të dobëta”, tha ministri. Rangimi, normalisht se do të jetë predispozitë e mirë për të pasur më shumë njohuri dhe qasje në sistemin e lartë arsimor në Maqedoni dhe kështu, ndonjëra prej tyre edhe mund ta gjejë veten në listën Shangait. Maqedonia është shteti i parë në rajon që do të bëjë vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë nga Universiteti Xhoatan. Ai është institucioni i parë i licencuar për vlerësimin global të universiteteve, ndërsa i pari në listën që ai krijon (Listën e Shangait) është Universiteti i Havardait në SHBA. Dy universitetet e radhës gjithashtu janë nga Amerika, ndërsa në ranglistën e dhjetëshes së parë nga Evropa, janë Universiteti i Kembrixhit në vendin e pestë dhe ai i Oxfordit në vendin e dhjetë. Për vlerësimin e universiteteve ngas Xhoatan përdoren 60 indikacione, në mesin e të cilave kryesojnë shkalla e punësimit të atyre që kanë diplomuar në universitetin përkatës, kualiteti dhe efikasiteti i studimeve, si dhe kushtet që ato ofrojnë. Për vlerësimin e kualitetit të institucioneve të arsimit të lartë, respektivisht rangimin e universiteteve, MASH ka planifikuar edhe mbështetjen ligjore. Për ata që do të refuzojnë të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e Universitetit Xhaotan, në dhënien informacioneve dhe dokumentacionit, janë parashikuar dënime në para dhe sanksione të tjera.

Kjo faqe mundësohet nga bashkëpunimi i gazetës “Albania” me gazetën “Koha” në Maqedoni

Gjykata dënon 9 shqiptarët e Grupit të Llapit

PRISHTINË - Një gjykatë e Beogradit ka dënuar nëntë shqiptarë nga Presheva për krime lufte kundër civilëve serbë pas qershorit të vitit 1999. Kolegji për krime të luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd dënoi nëntë persona, për të cilët thotë se janë pjesëtarë të të ashtuquajturit "Grupi i Gjilanit" i UÇK-së, me burgim prej gjithsej 101 vjetësh me akuzat se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile serbe dhe joshqiptare në territorin e komunës së Gjilanit, pas qershorit të vitit 1999.
Me nga 15 vjet burg janë dënuar Samet Hajdari, Agush Memishi dhe Selimon Sadiku; me nga 10 vjet - Faton Hajdari, Ferat Hajdari, Burim Fazilu, Ahmet Hasani dhe Nazif Hasani kurse me nga 8 vjet burg - Ferat Hajdari e Kamber Sadiku.
Të gjithë këta akuzohen për vrasjen e të paktën 80 civilëve të nacionalitetit serb e rom, zhdukjen e 34 civilëve, keqtrajtim dhe rrahje të 153 vetëve, dhe përdhunime. Sipas aktakuzës, të gjitha këto vepra kanë qenë të planifikuara dhe kanë pasur për qëllim frikësimin dhe dëbimin e popullatës civile serbe nga territori i Kosovës.
Kryetarja e trupit gjykues, Snezhana Nikolliq Garotiq, tha se gjatë procesit gjyqësor, 39 dëshmitarë të dëmtuar dhe të mbrojtur i kanë vërtetuar veprat me të cilat ngarkohen të akuzuarit, dhe për to parashikohet dënimi prej 5 deri 20 vjet. Mirëpo gjatë matjes së dënimit si masë lehtësuese trupi gjykues e ka marrë moshën e tyre të re në kohën kur i kanë kryer veprat, sepse gati të gjithë kanë qenë rreth 20 vjeç, e disa edhe të moshës së mitur 16 e 17 vjeç.
Mbrojtësit e të dënuarve shfaqën pakënaqësi me lartësinë e dënimit dhe paralajmëruan ankesa. Të indinjuar ishin edhe familjarët e të dënuarve dhe përfaqësuesë të pushtetit lokal nga Presheva e Bujanoci të cilët këtë e quajtën proces të montuar politik, ndërsa për dënimet thanë se "nuk kanë mbështetje në argumenta por janë të kurdisura me qëllim të mbulimit të krimeve serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë".
Të dënuarit Ahmet Hasani, Nazif Hasani, Ferat Hajdari, Kamber Sadiku e Burim Fetahu, të cilët nga paraburgimi janë liruar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar që të mbrohen në liri e që sot ishin në shqiptimin e aktgjykimit, do të vazhdojnë të jenë në liri me lëvizje të kufizuar deri në bërjen e plotfuqishme të aktgjykimit. Katër të akuzuarit e tjerë do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Gjatë procesit gjyqësor, të gjithë të akuzuarit, të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit 2008 në Preshevë, i kanë hedhur poshtë akuzat si të pabaza e të kurdisura nga shërbimi sekret serb.
Fazli Ajdari, Rexhep Aliju e Shaqir Shaqiri, për të cilët aktakuza thotë se si oficerë të shtabit të Qendrës operative të UÇK-së në Gjilan kanë dhënë urdhërat për krimet, pritet të gjykohen në mungesë. (BÇ)

22 Janar 2011

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›