E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: “Kurimi jashtë vendit, fillojnë procedurat e aplikimit”



Lizeta Duro
Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka shpallur të hapur aplikimin për kurimin jashtë vendit për vitin 2011. Çdo vit, personat që plotësojnë kushtet për tu kuruar në rrugë shtetërore, pra nëpërmjet MSH, kanë mundësi të kurohen në Greqi, Turqi dhe Itali, vende me të cilat shteti shqiptar ka marrëveshje bashkëpunimi. Ministria e Shëndetësisë zotohet që t`iu krijojë pacientëve, të gjitha mundësitë për të shkuar deri në spitalin e caktuar nga shteti pritës, duke kontaktuar vazhdimisht me autoritetet vendase.

Kadegoritë
Ka dy kadegori pacientësh që mbështet MSH. E para është kadegoria që ka nevojë të përfitojë totalisht nga marrëveshjet dypalëshe, për kurim jashtë shtetit. Në kadegorin e dytë bëjnë pjesë ato persona që duan të kurohen me shpenzimet e veta, por që kërkojnë lehtësi në marrjen e vizës. Për këtë, ndërhyn ministria, nëse pacienti plotëson disa dokumente. Më shumë se 100 pacientë Shqiptarë dërgohen çdo vit për kurim në shtetin turk, si rezultat i marrëveshjes dypalëshe mes MSH, shqiptare dhe asaj turke. Ndërsa rreth 35 shtetas shqiptarë pranohen çdo vit për kurim në spitalet greke, në rrugë shtetërore si rezultat e marrëveshjes dypalëshe. Ministria e Shëndetësisë ndërhyn për t`iu mundësuar lehtësimin e marrjes së vizave të gjithë pacientëve që rezultojnë me ndonjë nga sëmundjet e përcaktuara në listën e hartuar nga MSH-ja.

Kurimi
Që në fillim të vitit 2011 ka hyrë në fuqi rregullorja për rihapjen e procedurave të aplikimit, për kurimin e pacientëve shqiptarë në vendet e huaja, tashmë pacientët do të kenë të drejtën e kurimit në spitalet që kanë marrëveshje me MSH. Ndryshimi për këtë vit është se përveç aplikimeve të reja, do të shqyrtohen edhe kërkesat e pacientëve që kanë aplikuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë gjatë muajve të fundit të 2010-s. Kjo për shkak se shtetet e huaja mbyllën listën e pranimeve nga vendi ynë, pasi kuotat e caktuara ishin plotësuar. Mënyra e përzgjedhjes për të gjithë aplikantët do të jetë e njëjtë. Kështu, të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundur të shkojnë për kurim në spitalet e huaja dhe ata që e kanë të nevojshëm kurimin në to, kanë të drejtë të drejtohen pranë MSH-së për të kryer procedurat dhe për t`u njohur me kërkesat dhe rregullat.

RREGULLORJA
Procedurat e aplikimit për kurim jashtë vendit

Sipas marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria me Greqinë, Italinë dhe Turqinë, për të shkuar jashtë vendit, pacientët duhet t`iu nënshtrohen një sërë procedurave dhe të kenë me vete një dokumentacion të detajuar për sëmundjen. Për të vendosur nëse pacienti duhet të shkojë në një nga spitalet e huaja, mjeku që e ka kuruar mbledh një komision të posaçme për shqyrtimin e sëmundjes. Më pas jep epikrizën, e cila i dorëzohet palës pritëse. Nëse spitalet e huaja vendosin që të presin pacientin, atëherë kontaktojnë me MSH, për ta dërguar jashtë vendit të sëmurin. Ndërkohë, MSH ndihmon për nxjerrjen e dokumenteve të vizës, për pacientin. Kërkesat për t`u kuruar jashtë vendit janë më të mëdha, sesa mundësitë që ka ministria për të përballuar fluksin e kërkesave, që shkojnë çdo ditë në Ministri. Pacientët janë të detyruar ta zgjidhin në mënyrë individuale çështjen e kurimit në një nga spitalet e huaja, në rastet kur nuk është e mundur nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo kategori është e detyruar të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të gjejë vetë spitalin ku do të kurohet.

DOKUMENTET
Dosja e aplikantëve për të përfituar kurim

Dokumentet, fillojnë që nga vërtetimi për sëmundjen, deri te garancia bankare që duhet të ketë pacienti për të mbuluar shpenzimet e shërbimit shëndetësor. Kjo ndodh për pacientët që kërkojnë kurim falas në bazë të marrëveshjeve, janë të nevojshme një sërë dokumentesh. I pari që kërkohet më me ngulm është epikriza nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Dokument tjetër që do të shtonte shanset për t`u miratuar kërkesa për kurim jashtë vendit, është një vendim i Komisionit Ndërspitalor të QSUT-së për diçka të tillë. Për pacientët që kërkojnë notë verbale për lehtësimin e vizës në ambasada, janë të nevojshme një sërë dokumentesh të tjera. Pra në këtë rast bëhet fjalë që pacienti do të shkojë jashtë me shpenzimet e veta, por thjesht ka nevojë për ndërhyrje, që viza t`i jepet pa probleme. Kështu, kërkohet epikriza nga QSUT, si dhe dokumentacioni që vërteton gatishmërinë për pritjen e pacientit, në vendin ku do të shkojë dhe kostoja e shpenzimeve për kurimin e pacientit. Nga ana tjetër, një garanci bankare që tregon pagesën e bërë nga pacienti kundrejt spitalit, në masën 30% të shpenzimeve për kurimin e pacientit jashtë, është një tjetër dokument me rëndësi që kërkon MSH, me qëllim që të ndërhyjë për lehtësi në dhënien e vizës nga ambasada.

KADEGORIA 1

1. Epikrizë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë
2. Komision Ndërsiptalor QSUT

KADEGORIA 2
1. Epikrizë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
2. Dokumentacion që vërteton disponibilitetin për pritjen e pacientit në vendin ku do shkojë dhe kostoja e shpenzimeve për kurimin e pacientit.
3. Garanci Bankare (që tregon pagesën e bërë nga pacienti kundrejt spitalit në masën 30% të shpenzimeve për kurimin e pacientit jashtë).
4. Këto janë dokumentet që kërkohen nga Ministria e Shëndetësisë për të lëshuar Notën Verbale, pastaj i duhen bashkangjitur dokumentet e tjera që mund të kërkojë ambasada në fjalë.

22 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›