Maqedonia s'e do Europën

Gazetari dhe pronari i agjencisë bullgare Focus, Krasimir Uzunov,deklaroi për mediat bullgare se, Qeveria e Maqedonisë nuk dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
Uzunov mendon se, garnitura aktuale qeveritare në Shkup është më shumë e interesuar për integrime në sferat ku dominojnë interesat ruse, sesa në atë që çojnë drejt Brukselit.
“Në pothuajse të gjitha tubimet parazgjedhore, kryeministri përdorte një frazë që thoshte: ‘Nëse duhet të zgjidhim çështjen e emrit, ne do të organizojmë një referendum. E, nëse ka referendum, unë do të votojë kundër’.
Kjo nuk është një sjellje europiane. Maqedonia nuk po bën asgjë për t’u europianizuar në njëfarë mënyre, dhe ajo as që po përpiqet të arrijë vetë diçka. Ajo do të vazhdojë të përballet me ndarjet dhe kundërshtitë etnike dhe politike, të cilat gjithnjë e më shumë po e shtyejnë drejt skenarëve të njohur tashmë për hapësirat e ish-Jugosllavisë”, theksoi Uzunov.