Rama në Prishtinë flet për bashkim doganor

Kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama është ndalur pasditen e sotme në Prishtinë, në takimin me temën “Shqipëria, Kosova dhe rajoni pas 23 qershorit”.“Pas 23 qershorit duam të japim shpejtësi të re anëtarësimit në BE, por të mbështesim Kosovën për vizat, 5 njohjet e mbetura pezull. Kosova nuk duhet të paguajë çmimin e azilkërkuesve serbë e maqedonas, ata nuk e meritojnë të qëndrojnë të izoluar nga bota”, tha Rama gjatë takimit në bibliotekën e qytetit.
Rama ka deklaruar se PS refuzon dhe i lë për në arkiva retorikat nacionaliste. “Ne refuzojme sot dhe pas 23 qershorit do t’ia leme arkivave retoriken e vjetër nacionaliste që ka përfshirë edhe qeverinë tonë që tenton të mbulojë dështimet duke u shfaqur si kërcënim për stabilitetin demokratik në rajon”, tha ai, njofton Panorama.
Sipas tij, në esencë bashkimi ka ndodhur. Ai ka vlerësuar domosdoshmërinë e përqasjes së legjislacionit në dy kahet, në të mirë të integrimit dhe shkuarjes bashkërisht në BE.
Sipas kreut socialist, bashkimi doganor është gjëja më e mirë që mund të ndodhë.
Ai ka garantuar një politikë të re, zgjerim të marrëdhënieve në mbështetje të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Shqipëria evropiane për ne është gjenerator i bashkëpunimit rajonal. Për ne një Shqipëri evropiane, do të thotë kalimi nga një qasje e përgjithshme në momente të rëndësishme, në një politikë të jashtme aktive me fuqi normative, ne do ti japim jetë një politike progresiste në bashkëpunimin rajonal. Që ditën e parë do të nisim punën për një marrëveshje kuadër me vendet e rajonit për mbrojtjen e pakicave në dritën e standardeve evropiane. Ato si ura mes shteteve të Ballkanit dhe jo si hendeqe brenda vendeve, mbi hartën etnike që nuk përputhet me atë territoriale. Harta duhet të mbushet me urat e së ardhmes, që kapërcejnë vizionin e së shkuarës”, tha ai. /Indeksonline/