E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia sot në zgjedhje, Thaçii PDSH s' voton se s'kishte emrin

Të tjera rreth shkrimit Sulmohet lagjja me shqiptarë SHKUP-Maqedonia organizon sot zgjedhjet lokale në sfondin e një krize politike mes maxhorancës qeveritare të djathtë dhe opozitës së majtë të kësaj ish-republike jugosllave, por dhe tensioneve etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Në 80 komuna dhe qyteti i Shkupit si një njësi e veçantë administrative priten të zgjidhen drejtuesit e tyre dhe anëtarët e këshillave komunalë. Në 2.976 qendra votimi kutitë e votimit u hapën në orën 07.00 të mëngjesit, ndërsa të drejtën e votës e kanë 1.743.403 qytetarë.

Shqiptarët pritet të fitojnë postet e kryetarëve të komunave me shumicë dërrmuese si Tetova, Gostivari, Çairi në Shkup, Dibra e Madhe dhe një numër komunash rurale. Gjasat janë të mira që Struga e Kërçova gjatë katër viteve të ardshme të drejtohet nga prefektë shqiptarëve, shkruan Zëri i Amerikës.  Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni bëri të ditur se deri në orën 10:00 kanë votuar 12.49 për qind apo rreth 204 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Pjesëmarrje më e lartë është regjistruar në Kërçovë Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor Komunal, zgjedhjet po zhvillon në një atmosferë të qetë dhe pa incidente, ndërsa deri në orën 13 kanë votuar 54,8 për qind e votuesve.

THAÇI I PDSH-së NUK VOTON, NUK GJETI EMRIN NE LISTE

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk votoi sot në Tetovë, pasi emri i tij nuk figuronte në listën e votuesve në vendvotimin në Kopshtin e vjetër në Tetovë. Thaçi ka pritur që familja e tij e ngushtë të shfrytëzojë të drejtën e votimit dhe më pas është shfaqur para medieve duke deklaruar se i është hequr e drejta e votimit.  “Nuk isha në listën zgjedhore edhe pse kam pasaportë biometrike. MPB, njësia rajonale e Tetovës nuk e ka informuar entin statistikor se unë kam pasaportë biometrike dhe kam të drejtë të votoj. Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta, sipas informacioneve që kemi në shtabin tonë. Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull por kjo është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, ka theksuar kryetari i PDSH-së.  (Foto majtas Menduh Thaçi)

NE KERÇOVE E STRUGE, RIVALITETI MES KANDIDATIT SHQIPTAR E MAQEDONAS
Nnë qytetet Kërçovë dhe Strugë, ku mbretëron një ekuilibër etnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, një duel i ngushtë njoftohet në garën zgjedhore mes kandidatëve të dy komuniteteve. Në dy qytetet, partitë politike janë secila të përqendruara rreth një kandidati të vetëm, shqiptar dhe maqedonas. Për herë të parë që prej 20 vjetësh, VMRO-DPMNE (në pushtet) dhe LSDM mbështesin të njëjtin kandidat në Kërçovë dhe Strugë. Krahu shqiptar, rivalët politikë të Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) kanë bashkuar forcat e tyre.

Një garë e fortë pritet të jetë  edhe për Shkupin, Tetovën, Kumanovën, Gostivarin, Manastirin, Ohrin. Nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve  varen edhe mundësitë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan INA  Zgjedhjet shikohen si test dhe mbarëvajtja e tyre mund të ndikojë në përpilimin e raportit të KE për Maqedoninë që pritet të dalë në muajin prill.

Dje votuan mbi 1.446 të burgosur nëpër burgjet e vendit, 136 qytetarë me status të të zhvendosurëve si dhe personate sëmurë. Zgjedhjet do të monitorohen nga 8.379 vëzhgues vendor dhe 410 vëzhgues të huaj të akredituar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të parat u mbajtën në vitin 1990, të ardhshmet në vitin 1996, në vitin 2000, në vitin 2005, ndërsa të fundit në vitin 2009.

DESHTOJNE TENTATIVAT PER TE NDALUAR ARDHJEN E SHQIPTAREVE NGA DIASPORA
Zhurnal.mk shkruan se maqedonasit janë përpjekur për të penguar ardhjen e emigrantëve shqiptarë në Maqedoni, duke mos lejuar kompanitë “Air Bukuresht” dhe “Enter Air” , dy kompanitë ajrore të cilat morën përsipër të bënin udhëtimet charter të emigrantëve të mos ndalonin në Maqedoni me arsyetimin se nuk kishin plotësuar procedurat evropiane. Ndonëse me disa orë vonesë, janë realizuar të gjitha aterrimet e avionëve me të cilat po mbarten disa mijëra shqiptarë, për të votuar në zgjedhjet e së dielës. Gjithashtu gjatë mbrëmjes u dha dhe një alarm për bombë, “si një orvatje e dëshpëruar për të penguar ardhjen e shqiptarëve nga diaspora”, shkruajnë mediat maqedonase. Pas hetimeve rezultoi se alarmi ishte i rremë. Të gjitha këto nuk kanë tërhequr shqiptarët emigrantë që të hiqnin dorë nga kthimi në Maqedoni për të votuar.

Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë shënuar nga tensione. Në fillim të muajit mars, më shumë se 10 persona, dy prej të cilëve policë, u plagosën në Shkup nga përplasjet mes manifestuesve shqiptarë dhe policëve maqedonas pas emërimit të një ish-shefi të gueriljeve shqiptare në postin e ministrit të Mbrojtjes.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›