E Hënë, 2 Nëntor 2026

Maran flet projektin e ri të Kombëtares: Rinovimi i grupit do të vijë gradualisht

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran prezantoi sot filozofinë e tij të punës dhe shpjegoi zgjedhjet e bëra në listën e lojtarëve për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, gjatë një konference për mediet në “Shtëpinë e Futbollit”.

Tekniku kuqezi e cilësoi të vështirë procesin e përzgjedhjes së lojtarëve, duke theksuar se do të kishte dashur një grup më të zgjeruar për të vlerësuar sa më shumë alternativa në funksion të ekipit.

Maran u ndal edhe te situata e lojtarëve të dëmtuar, duke bërë të ditur se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Thomas Strakoshën, si edhe me Dajsinanin, Muçin, Manajn dhe Gripshin, për të monitoruar gjendjen e tyre fizike.

Duke komentuar deklaratat e ish-sulmuesit Edgar Çani për ndikimin e tij te lojtarët ofensivë, Maran tha se futbolli i tij synon të krijojë kushte që sulmuesit të shprehin potencialin maksimal.

“Kur skuadra ndërton lojë dhe krijon raste, ndihmon sulmuesit të shënojnë. Kjo mund të vlejë për Armando Brojën, por edhe për të gjithë repartin ofensiv”, u shpreh ai.

Një nga temat e konferencës ishte edhe mungesa e Ivan Balliut. Maran bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë me mbrojtësin, i cili i ka kërkuar kohë për të vendosur nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Kombëtares.

“Është një lojtar që ka dhënë shumë për Kombëtaren dhe meriton kohën e nevojshme për të reflektuar”, tha trajneri.

Sa i përket objektivave, Maran theksoi se dëshira për rezultate pozitive është e menjëhershme, por pa bërë ndryshime të nxituara. Sipas tij, skuadra do të mbështetet te bërthama ekzistuese, ndërsa rinovimi i grupit do të vijë gradualisht.

“Ka një bazë lojtarësh që kanë bërë mirë edhe në ciklin e mëparshëm. Ndryshimet duhet të jenë të kujdesshme dhe në funksion të përmirësimit të skuadrës”, deklaroi ai, duke marrë si shembull kapitenin Berat Gjimshiti.

Trajneri italian foli edhe për skemën taktike që synon të përdorë, duke lënë të kuptohet se preferon një mbrojtje me katër lojtarë dhe një strukturë me prirje sulmuese, por pa dhënë ende një vendim përfundimtar mbi modulin.

“Duhet të shoh lojtarët në stërvitje përpara se të vendos përfundimisht”, tha ai.

Maran konfirmoi gjithashtu se Jasir Asani nuk është grumbulluar për shkak të mungesës së minutave në klub, ndërsa siguroi se do t’u japë hapësira edhe lojtarëve të rinj për të treguar vlerat e tyre.

Në lidhje me Kombëtaren U-21, trajneri nënvizoi se do të ndjekë nga afër elementët e rinj dhe se pas dy miqësoreve të qershorit do t’i kushtojë vëmendje më të madhe ekipit shpresa.

Në ditët e para në krye të Kombëtares, Maran tha se po e përjeton me entuziazëm eksperiencën e re në Shqipëri dhe se synimi i tij është ndërtimi i një skuadre me identitet të qartë loje.

“Ka material të mirë dhe lojtarë me cilësi. Dua të transmetoj idetë e mia dhe t’i ndërtojmë së bashku objektivat e kësaj Kombëtareje”, përfundoi ai.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, foto: Andrin Hoxha 1 nga 5

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›