Nufi: Në diskutim dërgimi i trupave shqiptare në Rripin e Gazës, zgjatet afati i misionit në Letoni deri në 2029

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se ende nuk ka një vendim në lidhje me dërgimin e trupave shqiptare në Gazë.
Në daljen për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, i pyetur nga gazetarët, Nufi tha se çështja është ende në fazën e diskutimeve.
“Kemi dërguar një mision vëzhgues në Rripin e Gazës për të parë situatën në terren dhe mundësinë e vendosjes së trupave tona atje. Po diskutojmë me të gjithë partnerët, përfshirë ata amerikanë, për të kuptuar qartë rregullat e sigurisë, detyrat dhe angazhimet”, tha ai.
“Ne kemi besim të plotë te Forcat tona të Armatosura, te njësitë ushtarake, nga repartet speciale te policia ushtarake, që kanë marrë pjesë në të gjitha misionet paqeruajtëse. Jemi të bindur për përgatitjen dhe kapacitetet e tyre. Rajoni është shumë delikat. Ka ekzistuar më parë një mision paqeruajtës në Liban dhe i njëjti model po shqyrtohet edhe për Rripin e Gazës”, shtoi Nufi.
Gjatë deklaratës së tij, ministri Nufi njoftoi edhe miratimin e zgjatjes së afatit të misionit shqiptar në Letoni deri në vitin 2029.
Sipas tij, ky vendim shërben në konsolidimin e të gjithë Forcave tona të Armatosura në misionet e NATO-s dhe specifikisht në Letoni.
Shqipëria do të vijojë të kontribuojë në këtë mision me një togë në funksion të sigurisë kolektive në krahun lindor të Aleancës.
Ministri Nufi theksoi se pjesëmarrja në operacionet dhe misionet e NATO-s rrit ndërveprueshmërinë me aleatët dhe konsolidon rolin e Shqipërisë si aleat aktiv dhe i besueshëm në sigurinë e përbashkët.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, foto: Florian Abazaj 1 nga 2/e.i/r.e/ /a.g/