Mark Rutte do të takohet me Zelenskun dhe liderët evropianë të mërkurën në Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte do të presë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa liderë evropianë në Bruksel pasnesër, të mërkurën, njoftoi aleanca sot, disa javë para inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
“Sekretari i Përgjithshëm do të takohet me Presidentin Zelensky të mërkurën. Udhëheqësit e tjerë evropianë do të jenë në Bruksel për një samit evropian dhe disa prej tyre do të marrin pjesë në takimin e tyre për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore ”, tha një zyrtar i NATO-s.
Në këtë takim jozyrtar pritet të marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri polak Donald Tusk dhe kryeministri britanik Keir Starmer, sipas burimeve diplomatike.
Antonio Costa , i cili kryeson Këshillin Evropian prej 27 vendesh, dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjithashtu pritet të marrin pjesë në takimin, i cili do të mbahet një muaj përpara se Trump të marrë detyrën në SHBA.
Evropianët dhe presidenti i Ukrainës janë të shqetësuar për mundësinë e pezullimit të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, e cila është në luftë me Rusinë.
Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se synon të sjellë paqe në Ukrainë, duke premtuar se do ta bëjë këtë “brenda 24 orëve”, por asnjëherë nuk ka specifikuar se si.
Kievi ka frikë në këtë kontekst se mund të detyrohet të negociojë për një marrëveshje që nuk merr parasysh pretendimet e tij për sovranitet dhe garancitë e sigurisë.
Vendet evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë , kanë filluar të diskutojnë dërgimin e trupave në Ukrainë për të garantuar një armëpushim eventual në të ardhmen.
Megjithatë, ata insistojnë kryesisht në nevojën për të mbështetur Ukrainën tani, në mënyrë që ajo të jetë në një pozicion të fortë përpara çdo negocimi të mundshëm.
“Duhet të ketë paqe për të dërguar forca paqeruajtëse dhe Rusia nuk do paqe ”, nënvizoi sot kreu i diplomacisë së BE-së, Kaya Kallas , duke kërkuar që të forcohet mbështetja ushtarake në Kiev./vizionplus.tv