E Diel, 1 Nëntor 2026

Markaj: Parandalimi, thelbi i misionit të mjekut të familjes

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Mjeku i familjes mbetet kontakti i parë i qytetarëve me kujdesin shëndetësor, mbështetja e përditshme për pacientët dhe një hallkë e pazëvendësueshme e sistemit shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përcolli sot mesazhin e mjekut të familjes në Qendrën Shëndetësore Shënkoll, Edi Markaj. Markaj ndau reflektime mbi rolin dhe misionin e këtij profesioni, duke theksuar se mjeku i familjes shkon përtej diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve.

“Mjeku i familjes nuk është thjesht një profesionist që trajton dhe diagnostikon. Ai është një person i afërt me familjen, që ndihmon në krijimin e shpresës dhe marrëdhënieve të shëndetshme. Aty ku ka pasiguri, mjeku i familjes jep shpresë dhe siguri për të ardhmen, jo vetëm për pacientët, por për të gjithë familjen”, u shpreh Markaj.

Ai theksoi se roli i mjekut të familjes është thelbësor për funksionimin e gjithë sistemit shëndetësor.

“Nëse mjeku i familjes nuk bën mirë atë që duhet të bëjë, i gjithë sistemi shëndetësor vuan. Roli ynë është i rëndësishëm në shërbimin që ofrojmë në shkolla, në parandalimin e sëmundjeve dhe në kujdesin për shëndetin e popullatës”, tha ai.

Sipas Markajt, misioni i mjekut të familjes nuk kufizohet vetëm në trajtim, por mbi të gjitha në parandalim.

“Ne si mjekë familjeje kujdesemi jo vetëm të trajtojmë, por edhe të parandalojmë. Ky është një nga misionet më të rëndësishme të mjekut të familjes”, deklaroi ai.

Duke vënë në dukje vazhdimësinë e këtij shërbimi, Markaj nënvizoi se mjeku i familjes është pranë pacientëve në çdo etapë të jetës.

“Mjeku i familjes është një hallkë e rëndësishme, që nis që kur pacientët janë fëmijë dhe vijon deri në moshën e tretë”, u shpreh ai.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për kolegët e tij që ofrojnë shërbim shëndetësor me përkushtim, shpeshherë në kushte sfiduese.

“Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time për çdo koleg që, me përkushtim, ofron shërbim shëndetësor pranë familjeve shqiptare, shpesh edhe në kushte të vështira, që ato të kenë më shumë shërbim dhe shëndet më të mirë”, përfundoi Markaj.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›